Protestat para Kuvendit, Policia shoqëroi dhe mbajti në Komisariat për dy orë edhe një gazetare që po raportonte

Gazetarja e Citizens.al, Vjolanda Peca, u shoqërua dhe u mbajt në Polici për rreth dy orë, pas protestës së sotme para ambienteve të Kuvendit.

Në një reagim publik, redaksia e Citizens.al e cilësoi të papranueshëm shoqërimin e gazetares kundër vullnetit të saj dhe mbajtjen për më shumë se dy orë në komisariat, duke e konsideruar një shkelje të rëndë të lirisë së ushtrimit të profesionit.

“Shoqërimi në komisariat kundër vullnetit dhe mbajtja për më shumë se dy orë e gazetares në kushte të privimit të lirisë është e papranueshme dhe një shkelje e rëndë e lirisë së ushtrimit të profesionit, që nuk duhet të përsëritet,” thuhet në reagimin e redaksisë.

Sipas Citizens.al, Peca po ushtronte detyrën e saj si gazetare, duke raportuar mbi protestën para Parlamentit, në momentin kur u shoqërua nga efektivët e Policisë së Shtetit.

Redaksia thekson se gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin kushtetues të raportojnë ngjarje me interes publik pa u penguar apo intimiduar nga autoritetet.

“Gazetarët kanë detyrimin dhe të drejtën kushtetuese të raportojnë ngjarjet me interes publik, pa u penguar, intimiduar apo shoqëruar nga autoritetet për shkak të punës së tyre. Çdo ndërhyrje që cenon ushtrimin e lirë të profesionit përbën shqetësim serioz për lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar,” thuhet më tej në reagim.

Citizens.al u bëri thirrje autoriteteve që të garantojnë ushtrimin e lirë dhe të sigurt të profesionit të gazetarit, duke theksuar angazhimin e saj në mbrojtje të lirisë së medias dhe të drejtës për informim.