Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama mori pjesë në seancën plenare të Kuvendit me qëllimin për të “varrosur” reformën territoriale.
Në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit, Berisha akuzoi kreun e qeverisë se kërkon një reformë të orientuar nga interesat politike dhe jo nga nevojat e qytetarëve.
“Rama varrosi një punë serioze të mbështetur nga komunitetet ndërkombëtare. Ai do një reformë jo në interes të qytetarëve”, u shpreh Berisha.
Ai komentoi edhe protestën e zhvilluar para Parlamentit, duke akuzuar policinë për përdorim të gazit lotsjellës dhe sprajit irritues ndaj protestuesve. Berisha tha se situata me personat e lënduar po ndiqet me “shqetësim të madh”.
Sipas tij, përballë kësaj situate mbetet vetëm “revolta paqësore e bashkive”, ndërsa shtoi se, sipas tij, Rama “nuk shpëton më”.




