Bysheku, një nga pikat më të njohura natyrore pranë Elbasanit, vazhdon të tërheqë vizitorë falë burimeve me ujë të pastër dhe natyrës karakteristike. Megjithatë, banorët dhe vizitorët thonë se zona ka ndryshuar ndjeshëm ndër vite dhe se mungesa e kujdesit po lë gjurmë.
“Ka ndryshuar shumë në krahasim me dikur, sepse këtu nuk vë më dorë njeri. Mbaj mend që vija që i vogël në Byshek, luanim, organizoheshin festa. Tani nuk bëhet më asgjë, e kanë lënë në harresë”, shprehet një banor i zonës.
Një tjetër vizitor thotë se prej kohësh nuk është ndërhyrë për mirëmbajtjen e parkut dhe kërkon që Bashkia e Elbasanit të marrë masa. Sipas tij, një nga pasuritë më të mëdha të Byshekut mbetet uji i pastër i burimeve, i pijshëm dhe i vlerësuar nga vizitorët, por kjo zonë duhet të rikthejë rëndësinë që ka pasur dikur.


Edhe një tjetër banor thekson se është e domosdoshme të shtohet kujdesi për gjelbërimin, të shmangen tymrat që shqetësojnë vizitorët gjatë qëndrimit në park, si dhe të ruhet pastërtia e burimeve të ujit.


Shqetësim për vizitorët mbetet edhe gjendja e rrapeve mijëvjeçarë të Byshekut, të shpallur monumente natyrore. Katër prej tyre janë drejt tharjes, ndërsa kjo situatë shihet nga shumë banorë si një humbje e trashëgimisë natyrore të zonës. Të tjerë vlerësojnë se mosha e tyre e madhe mund të ketë ndikuar në këtë proces, por theksojnë se institucionet duhet të marrin masa për ruajtjen e rrapeve që kanë mbetur, si edhe për mbjelljen e pemëve të reja, në mënyrë që kjo pasuri natyrore të mos humbasë për shkak të mungesës së kujdesit.




