Momenti viral: Princesha e Norvegjisë përqafon Erling Haaland-in pa bluzë në dhomat e zhveshjes pas triumfit ndaj Brazilit

NEW JERSEY – Sulmuesi i jashtëzakonshëm norvegjez, Erling Haaland, ka qenë protagonisti absolut i një nate historike për vendin e tij, duke udhëhequr Norvegjinë drejt çerekfinaleve të Kupës së Botës (FIFA World Cup) pas një fitoreje të madhe ndaj Brazilit. Haaland shkëlqeu me dy gola të realizuar, por vëmendjen e rrjeteve sociale, përveç performancës në fushë, e ka marrë një episod mjaft i veçantë gjatë festës në dhomat e zhveshjes.

Ndërsa futbollistët po festonin të gjysmëzhveshur kualifikimin në stadiumin e New Jersey-t, ekipi mori një vizitë surprizë mbretërore nga Princesha Ingrid Alexandra dhe vëllai i saj, Princi Sverre Magnus. Pamjet ku princesha 22-vjeçare përshëndet lojtarët dhe përqafon ngrohtësisht Haaland-in – i cili në ato momente ishte pa bluzë – u bënë menjëherë virale në rrjet.

Princesha Ingrid Alexandra, e cila është e dyta në radhë për fronin mbretëror norvegjez dhe pritet të bëhet monarkja e parë femër e vendit pas më shumë se gjashtë shekujsh, udhëtoi drejt SHBA-ve për të zëvendësuar babain e saj, Princin e Kurorës Haakon. Ky i fundit e anuloi udhëtimin pasi bashkëshortja e tij, Mette-Marit, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Kjo vizitë shënoi gjithashtu paraqitjen e parë zyrtare publike të Princeshës Ingrid Alexandra që prej operacionit të së ëmës.

Haaland barazon Messin e Mbappé dhe flet për “dhuratën nga Zoti”

Me dygolëshin e shënuar ndaj Brazilit, Haaland ka kapur kuotën e 7 golave në këtë turne, duke u pozicionuar në krye të garës për “Këpucën e Artë” përkrah yjeve si Lionel Messi dhe Kylian Mbappé.

Pas ndeshjes, bomberi norvegjez u shpreh me mjaft vetëbesim për instinktin e tij vrasës para portës:

“Zakonisht, nëse kam një ose dy raste, ato përfundojnë me gola. Nuk e don si e bëj, por gjithçka ka të bëjë me përqendrimin. Mendoj se është një dhuratë nga Zoti.”

Haaland shfrytëzoi momentin edhe për t’u dërguar një mesazh frymëzues fëmijëve në vendlindje, duke i ftuar të ëndërrojnë për fanellën e përfaqësueses: “Të luash për Norvegjinë është krenaria më e madhe për një futbollist”.

Rrugëtimi historik i Norvegjisë në këtë Botëror do të vijojë të shtunën në Miami, ku në fazën çerekfinale i pret një përballje e zjarrtë kundër Anglisë.