Vritet me armë zjarri një i ri nga Kosova në Suedi, autoritetet hetojnë pistën e përplasjes së bandave kriminale

SUEDI – Një i ri me origjinë nga Kosova ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Suedi. Viktima është identifikuar si Genti Maksutaj, ndërsa autoritetet suedeze po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas raportimeve të mediave suedeze, policia u njoftua rreth orës 21:00 për të shtëna me armë në zonën Kvarngärdet, në Uppsala. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët nisën hetimet intensive për të sqaruar motivin dhe dinamikën e sulmit.

Nga informacionet paraprake dyshohet se Maksutaj mund të ketë qenë një kalimtar i rastit dhe të jetë goditur gjatë një përplasjeje mes grupeve kriminale. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht motivin e ngjarjes.

Në lidhje me rastin, policia ka ndaluar një të ri rreth 18 vjeç në orët e para të mëngjesit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Lajmi për vdekjen e të riut është konfirmuar edhe nga familjarët e tij përmes rrjeteve sociale. Babai i viktimës publikoi një mesazh prekës në kujtim të djalit:

“U prehsh në paqe, djali jem. Përjetë në zemrat tona. Babi të do shumë.”