Dy Jet Ski futen në zonat e ndaluara në plazhet e Sarandës dhe Ksamilit, gjobiten drejtuesit

SARANDË- Shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dy mjete lundruese Jet Ski, pasi u konstatuan duke lundruar në zona të ndaluara pranë plazheve të Sarandës dhe Ksamilit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.

Gjatë kontrolleve në hapësirën detare të Sarandës, efektivët evidentuan një Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë në një zonë të mbushur me pushues. Një shkelje e ngjashme u konstatua edhe në Ksamil, ku një tjetër mjet lundrues kishte hyrë në hapësirën e ndaluar për lundrim pranë bregut.

Të dy Jet Ski-t u sekuestruan dhe u shoqëruan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj drejtuesve të tyre me iniciale R. A. dhe R. P. u vendosën masa administrative me nga 500 mijë lekë të rinj gjobë për secilin.

Njoftimi i policisë:

“Siguria Detare në fokus

Sarandë/Shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon 2 mjete lundruese (Jet Ski) dhe ndëshkon drejtuesit me masë administrative nga 500.000 lekë të rinj. Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit në zonën e Gjirit të Sarandës, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski) që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Gjithashtu, po gjatë patrullimit, në zonën e Gjirit të Ksamilit, u konstatua edhe një tjetër mjet lundrues (Jet Ski) që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në kundërshtim me rregullat e lundrimit.

Në përfundim të veprimeve administrative, të dy mjetet lundruese u shoqëruan dhe u bllokuan në Portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesve, shtetasve R. A. dhe R. P., u vendosën masa administrative me vlerë 500.000 lekë të rinj, secilit. Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushues.”