Aksident i rëndë: Përmbyset mjeti me gjashtë persona në Fiershegan, plagosen tre fëmijë

LUSHNJË – Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e gjashtë personave ka ndodhur në aksin rrugor Lushnjë–Berat, saktësisht në fshatin Fiershegan. Një automjet i tipit “Volkswagen Golf”, në të cilin udhëtonin gjashtë anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë tre fëmijë, është përmbysur në rrugë pas një manovre shmangieje.

Sipas dëshmisë së dhënë nga drejtuesi i mjetit, i cili po qarkullonte në drejtim të Beratit, një automjet tjetër i ka bllokuar papritur korsinë përballë. Në tentativë e sipër për të shmangur përplasjen kokë më kokë, shoferi ka devijuar menjëherë mjetin në krahun e djathtë të rrugës. Si pasojë e këtij manovrimi, “Golfi” është përplasur fillimisht me një makinë të parkuar në anë të rrugës dhe më pas ka përfunduar i përmbysur në mes të rrugës.

Nga përplasja e fortë kanë mbetur të lënduar të gjashtë personat që ndodheshin në mjet, ku mes tyre tre janë fëmijë. Të plagosurit u transportuan me urgjencë nga dëshmitarët dhe ambulanca drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e të gjithë të lënduarve paraqitet e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për rindërtimin e plotë të dinamikës së aksidentit dhe identifikimin e mjetit tjetër që shkaktoi devijimin e rrugës.