Dita e 28-të e protestës, protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë

Ka nisur protesta e 28-të kombëtare e organizuar me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimit në Tiranë i janë bashkuar qytetarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë, si edhe emigrantë të ardhur nga diaspora.

Protestuesit u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku po mbahen fjalime dhe po shprehen kërkesat e organizatorëve.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si: “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Poshtë patronazhistët”.

Në protestë ka marrë pjesë edhe një vogëlush me një pankartë të përgatitur prej tij, ndërsa në një prononcim u shpreh se dëshironte që protestuesit të mos hiqnin dorë nga kauza e tyre.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe një emigrant i ardhur nga Italia, i cili deklaroi se iu bashkua protestës për të denoncuar, sipas tij, problemet me pronat dhe mungesën e zgjidhjes nga institucionet.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për largimin e kryeministrit nga detyra.