Nga Ilir Çopja
Ky është dialogu i zakonshëm i javëve të fundit në Elbasan. Ku një pjesë në rrjete sociale, kafe apo në takime të rastësishme në rrugë fton tjetrin të dalë në protestë dhe ky i fundit përgjigjet i painteresuar. Por pikërisht shumica prej këtyre të painteresuarve janë të pakënaqur që shajnë e ankohen në çdo kafe apo rrjete sociale por kurrë nuk bëjnë një hap para.
Të jesh një qytetar i përgjegjshëm nuk do të thotë vetëm të pagush taksat, detyrimet që të vendosin por do të thotë të ngresh zërin edhe për të drejtat e tua sepse siç ke detyrime ti si qytetar edhe institucionet e pushtetit vendor e qëndror kanë detyrime ndaj teje. Ti si qytetar nuk duhet të transformohesh vetëm si një “Yes Man” i cili tund kokën dhe duartroket për çdo vendim apo masë që marrin institucionet. Ti qytetar nuk duhet të shdërrohesh në një qenie pasive që tërhiqesh çdo dy vjet sa herë ka zgjedhje për të shërbyer si dekor apo publik pa biletë në takimet partiake. Më e keqa ti qytetar nuk duhet të shdërrohesh në legjitimues të vendimeve të marra nga të tjerët për ty pa e thënë kurrë mendimin tënd në publik dhe në ato institucione vendimmarrëse.
Po kthehem imê te qyteti im, Elbasani im. Unë si elbasanlli siç më pëlqen të quhem më dhemb topitja dhe përgjumja e qytetit. Dikur kur isha i vogël gjyshi më mësoi një togvargësh: “Elbasan qytet i bukur në kërthizë të Shqipërisë djemtë e tu por si flutur kapin librat e diturisë”.
E vërteta e përgjumjes, apatisë, indiferentizmit duhet ta kërkojmë pikërisht këtu. Qytetit të “Normales” që formoi breza mësuesish dhe nxënësish në të gjithë trevat shqiptare me dekada, të Institutit të Lartë Pedagogjik dhe të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” i kanë mbetur vetëm kujtimet e lavdisë së dikurshme, të rrahë gjoksin e të shohë fotografitë e vjetra, të zverdhura nga vitet me shenjat e gishtave të atyre që i shohin shpesh sikur duan të marrin nga lavdia a dikurshme.
Arsimi në Elbasan po kalon ditët e tij më të errëta sidomos në ato degë që e kthyen këtë qytet në simbol të arsimit. Shumica e degëve të mësuesisë po lëngojnë në agoni dhe me vështirësi po rreken të mbijetojnë. Shkolla pedagogjike (ish Normale) ka humbur peshën dhe funksionet e dikurshme, shkolla e gjuhëve të huaja dhe ajo artistike janë në minimumin historik dhe në rrezik mbylljeje përfundimtare.
Nga ana tjetër baret dhe restorantet janë shtuar e pavarësisht krizës, ndryshimeve politike e fiskale lulëzojnë. Në mes të kësaj lëvizjeje ku një pjesë e qytetarëve rreket të nxjerrë zë, të flasë atë që ndien dhe e mundon përballë tyre, shumica qëndron në kafe me filxhan në dorë a një gotë pije duke i nënqeshur me tallje e duke kërkuar mes tyre të infiltruarin, të shiturin, agjentin e huaj.
Këtu më vjen ndërmend sërish vargjet e mësipërme që më pat treguar gjyshi por ai kishte edhe një variant tjetër, më aktual, ndryshimi ishte vetëm në vargun e fundit i cili bëhej: tundin shishet e rakisë.
Në situatën aktuale ky variant i përshtatet më shumë. Gjen shumë më tepër njerëz në kafe dhe lokale duke pirë se sa njerëz të cilët kërkojnë përgjigje për të drejtat që u shkelen, për taksat e tyre, për shërbimet që mungojnë. Kjo nuk është vetëm gjendje aktuale por e kahershme. Mjafton të kujtojmë para një viti kur Elbasani u mbyt nga tymi toksik i ardhur nga djegia në landfill e në protestën që u thirr nga përfaqësues të shoqërisë civile kishte më shumë gazetarë se protestues. Më tragjikomikja ishte fakti se shumica e njerëzve ta thonin pa të keq: Bravo që dole dhe fole se na mbyti tymi, unë të pashë nga ballkoni, nga kafja”.
Paradoksi i Elbasanit
Qyteti im ka një paradoks. Skuadra e futbollit AF Elbasani është vlerësuar që ka tifozerinë më të zjarrtë se çdo ekip tjetër në kampionatin shqiptar të futbollit. Ndeshjet në “Elbasan Arena” janë ndjekur mesatarisht nga 5000-7000 spektatorë ndërsa në ato jashtë fushe shpesh ka qenë më e madhe në numër, më e zhurmshme dhe e zjarrtë se tifozeria vendase. Tifozeria jonë vlerësohet nga specialistët për fanatizmin dhe dashurinë që kanë për ekipin, mbrojtjen që i bëjnë ekipit e lojtarëve, organizimin e solidaritetin e tyre. Unë kam qenë spektator disa herë në shtëpi dhe në fushë kundërshtare e atmosfera e krijuar është elektrizuese, të përfshin në gjithë qenien tënde, të mbush me gëzim e krenari. Po kur vjen puna për të kërkuar të drejtat tona dhe llogaridhënie?
Kur vjen puna për to nuk arrijmë të mbushim dot “një autobus”, jemi të përçarë, më shumë se nga ndasitë politike, ajo që e pengon bashkimin është frika dhe dëshira për të gjetur armikun e brendshëm, të infiltruarin, atë që do përfitojë nga protesta. Harrojmë që një protestë e cila bëhet me kërkesa për mirëqeverisje, për më shumë shërbime nga institucionet, për llogaridhënie dhe demokraci i shërben të gjithëve sepse të gjithë jetojmë në këtë tokë, pimë këtë ujë e thithim këtë ajër pavarësisht ndasive.
Dikur Elbasani ka pas “zemër”, i ka dalë kundër regjimeve; pushtuese, monarkiste e diktatoriale. Mbase lodhja dhe masat repressive të marra ndaj kundërshtarëve kanë anestetizuar brezat e sotëm por si të kuptohet zelli që kemi në stadium, revolta ndaj lojtarëve kundërshtarë, arbitrit dhe tifozerisë kundërshtare për një vendim apo veprim që na duket i gabuar?
Kjo do të thotë se energjia është, bashkimi është, organizimi është, por çfarë mungon? Çfarë bën që kjo masë qyetare të mos derdhet në shesh për të drejtat e veta? Arsyet lidhen me presionin e ushtruar nga pushteti ndaj administratës apo atyre që kanë përfituar nga “dashamirësia” dhe lidhjet me pushtetin. Duhet thënë se në Elbasan ndryshe nga kryeqyteti mungon një brez i ri i cili ka vetëdijësim dhe besim në forcat e veta e ska nevojë as për rrethore e paterica për të ecur para. Goditjen finale e jep fakti i mospasjes së një lidershipi qytetar, mbi palët, që të edukojë, formësojë dhe motivojë individin të mos kënaqet si lypësi i tregimeve migjeniane me togfjalëshin “Zoti të dhashtë”.
Të ndjekësh skuadrën e zemrës, artistin e pëlqyer është e drejtë legjitime e secilit, ta mbrojë në diskutime e rrjete sociale është e drejtë por është e drejtë edhe të kërkosh llogari, të mbështesësh ata që kerkojnë të drejta të cilat nesër do ti gëzosh edhe ti. Siç është edhe një shprehje “Bota bëhet më e mirë me shembullin tonë, jo me fjalët tona”. Nëse nuk mundesh të marrësh pjesë apo nuk ke fuqi e guxim të ngresh zërin, të paktën o elbasanas i vjetër apo i ri mos nxit përçarje, mos kërko armiq, mos pengo të tjerët se secili prej tyre po ngrihet edhe në emrin tënd që vuan po nuk bën zë.




