Këtë të martë, më 2 qershor, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë nisi shqyrtimi i padisë së depozituar nga këshilltarja e Këshillit Bashkiak Elbasan, Bjanka Çopja, ndaj Bashkisë Elbasan, lidhur me kontratat e menaxhimit të mbetjeve urbane me shoqërinë “Eco-Elb” sh.a.
Në seancën e parë gjyqësore ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Elbasan dhe të shoqërisë “Eco-Elb”, të cilët paraqitën pretendimet dhe qëndrimet e tyre lidhur me çështjen në shqyrtim. Procesi shënoi hapjen e debatit gjyqësor mbi zbatimin e kontratave publike për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Elbasanit.
Në fokus të padisë është kërkesa për rishikimin e marrëdhënies kontraktore ndërmjet Bashkisë Elbasan dhe “Eco-Elb”, si dhe verifikimi i zbatimit të detyrimeve të parashikuara në kontratat e viteve 2022, 2023 dhe 2024.
Sipas dokumenteve të depozituara në gjykatë, paditësja pretendon se procese të rëndësishme të parashikuara në kontratë, si incenerimi dhe trajtim-seleksionimi në burim i mbetjeve, nuk janë realizuar nga shoqëria kontraktore, ndërkohë që pagesat publike kanë vijuar. Në padi kërkohet transparencë mbi dëmin financiar të mundshëm të shkaktuar nga moszbatimi i kontratës, ndërprerja e pagesave për shërbime të pakryera, si dhe nisja e procedurave për rikuperimin e fondeve publike, në rast se konstatohen shkelje.
Si palë e paditur në proces figuron Bashkia Elbasan, ndërsa shoqëria “Eco-Elb” sh.a. është përfshirë si person i tretë. Pas paraqitjes së pretendimeve fillestare, gjykata pritet të vijojë me shqyrtimin e provave dhe argumenteve të palëve në seancat e ardhshme.
Çështja konsiderohet me interes publik për shkak të lidhjes me administrimin e mbetjeve urbane dhe përdorimin e fondeve publike në nivel vendor.
(Shënim redaksional: Pretendimet e paraqitura në padi përfaqësojnë qëndrimin e palës paditëse dhe mbeten objekt shqyrtimi gjyqësor deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.)




