E diela nis me diell, por moti vjen me surpriza pas mesdite! Njihuni me kushtet atmosferike për ditën e sotme

Vendi ynë do të përfshihet sot nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit.

Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet të ketë vranësira të pakta kalimtare, të cilat në disa zona malore të jugut dhe në relievet lindore mund të bëhen herë pas here më të dendura.

Sipas parashikimit, në zonat jugore këto vranësira mund të shoqërohen me reshje të dobëta shiu nga mesdita deri në orët e pasdites, pa krijuar probleme.

Era do të fryjë nga veriu me shpejtësi mesatare deri në 7 metra për sekondë, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore mund të ketë forcim të përkohshëm deri në 14 metra për sekondë.

Edhe deti paraqitet relativisht i qetë, me valëzim nga 2 deri në 4 ballë në Adriatik dhe Jon, duke krijuar kushte të favorshme për lundrim dhe aktivitetet bregdetare.