Pl*mba dhe ndjekje si në filma në Athinë/ Shqiptarët përfshihen në atentatin ndaj pronarit të dyqanit të telefonave

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Patisias, në Athinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në një dyqan telefonash celularë në rrugën “Patision”.

Sipas informacioneve paraprake, një person hyri në dyqan dhe qëlloi me armë pronarin, një shtetas me origjinë pakistaneze, duke e plagosur në këmbë.

Pas të shtënave, autori doli menjëherë nga dyqani dhe u largua me një automjet tip BMW ngjyrë gri, ku ndodheshin edhe tre persona të tjerë.

I plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia greke nisi menjëherë ndjekjen e automjetit të dyshuar.

Pas disa minutash, makina u lokalizua në rrugën “Tsounta”, në bulevardin “Kifissou”, në drejtim të Lamias. Gjatë tentativës për t’u larguar, automjeti u përplas me disa makina të tjera dhe më pas u ndal.

Nga ndërhyrja e policisë u arrestuan tre persona me origjinë shqiptare, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.