TIRANË – Një muzikant nga Ksamili ka përfunduar në prangat e policisë, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonte drejt Tiranës, uniformat blu gjetën dy armë zjarri automatike tip kallashnikov.
Klodian Mustafa, i cili ushtron profesionin e klarinetistit në një grup muzikor, është njohur nga Gjykata e Tiranës me masën e sigurisë “arrest me burg”, pas arrestimit të tij në flagrancë gjatë orëve të para të 19 majit 2026.
Në seancën e zhvilluar më 21 maj, prokurori Leonard Filopati kërkoi caktimin e masës “arrest në burg”, kërkesë që u pranua nga gjyqtari Kujtim Vraniçi.
Sipas dosjes hetimore, Mustafa kishte udhëtuar nga Ksamili drejt Tiranës së bashku me bashkëjetuesen e tij, Kasandra Huda, me qëllim kryerjen e një vizite mjekësore. Çifti lëvizte me një automjet tip “Toyota Yaris”, i regjistruar në emër të shtetasit J. Shkurti.
Policia kishte marrë informacion në rrugë operative se në automjet ndodheshin armë zjarri, të cilat dyshohej se do të shiteshin në zonën e Freskut në Tiranë.
Sipas hetimeve, rreth orës 01:10, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 ndaluan automjetin pranë rrethrrotullimit të Urës së “Gjerosës”, ku gjatë kontrollit në bagazh u gjet një valixhe e zezë me mbishkrimin “QIXIANG”. Brenda saj ndodheshin dy armë automatike model 56, të cilat rezultuan në gjendje funksionale, por pa fishekë.
Pas arrestimit, Klodian Mustafa ka refuzuar të japë shpjegime lidhur me armët dhe destinacionin e tyre.
Ndërkohë, bashkëjetuesja e tij, Kasandra Huda, ka deklaruar para hetuesve se nuk kishte dijeni për praninë e armëve në automjet. Ajo ka shpjeguar se punon në një lavanderi në Ksamil dhe se udhëtimi drejt Tiranës ishte planifikuar për një vizitë mjekësore.
Sipas dëshmisë së saj, vetëm pas mbërritjes në Komisariatin Nr. 4 ka mësuar për armët e gjetura në bagazh, duke u shprehur se situata e kishte tronditur.
Pas marrjes në pyetje, Kasandra Huda u la e lirë, ndërsa ndaj Klodian Mustafës rëndon akuza për “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit”.













