Aksident në aksin Elbasan-Cërrik, përplasen dy automjete, raportohet për tre të plagosur

Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 10:00 të paradites së sotme në vendin e njohur si “Ura e Zezë”, në aksin e rrugës kombëtare Elbasan–Cërrik.

Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë dy automjete të cilat kanë pësuar dëmtime të shumta materiale si pasojë e forcës së goditjes.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur të paktën tre persona, të cilët janë transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Për shkak të ngjarjes, në këtë segment rrugor është krijuar për disa minuta edhe trafik i rënduar.