Mbrëmja e sotme pritet të jetë një nga ato net që do të mbeten gjatë në kujtesën e futbollit elbasanas, jo vetëm për rëndësinë e ndeshjes ndaj Egnatias, por edhe për mobilizimin e jashtëzakonshëm të tifozërisë verdheblu.
Që në orët e para të mëngjesit, qyteti i Elbasanit u zgjuar me ritmin e ndeshjes së parë të tri finaleve të “Final Four”. Grupi ultras “Tigrat Verdheblu” dhe “Arrakatët” kanë nisur përgatitjet për flamuj, banderola dhe koreografi, me objektivin e qartë: disa mijëra tifozë në tribunat e stadiumit “Air Albania” për të motivuar ekipin drejt një fitoreje që mund të vlejë sa një hap gjigand drejt titullit kampion.
Ultrasit kanë paralajmëruar gjithashtu një udhëtim spektakolar nga Elbasani drejt Tiranës, në një autokolonë që pritet të kthehet në një “uragan verdheblu”, me këngë, fishekzjarre dhe tymuese, duke treguar se mbeten lojtari i 12-të i skuadrës.
AF Elbasani hyn në këtë fazë finale me ritëm, moral të lartë dhe besim maksimal, ndërsa do të përballet me kampionët në fuqi të Egnatias, një rival i njohur pas gjashtë përballjeve gjatë këtij sezoni.
Ndërkohë, Dinamo City mposhti dje Vllazninë 2-0 në ndeshjen e parë të “Final Four”, duke ruajtur rivalitetin e ngushtë me AF Elbasanin, që ka po aq pikë sa shkodranët. Kjo e bën sfidën e sotme vendimtare për fatet e titullit kampion.
Në tribunat e “Air Albania” pritet të jenë të pranishëm edhe tifozët verdheblu nga Italia, Greqia dhe vende të tjera, të cilët do të rikthehen pranë skuadrës për të përjetuar emocionet e finales.
Sonte, zemra e Elbasanit do të rrahë më fort se kurrë, ndërsa qyteti verdheblu ëndërron që themelet e titullit kampion të çimentohet me suksesin ndaj Egnatias.













