Udhëtova për dy javë me makinë në Maqedoni, Serbi, Rumani, Sllovaki, Hungari, Gjermani, Danimarkë, Suedi, Zvicër, Itali, Slloveni dhe Kroaci.
Dua të ndaj me ju një eksperiencë që pata në kufirin serb, rumun dhe zvicerian. Në fakt, e prisja që të bëhej kontroll i imtesishëm makinës kur do largohesha nga Serbia sepse më kishin thënë edhe të tjerë njerëz që kishin kaluar në ato dogana. Por nuk prisja që pasaportën shqiptare ta merrte polici i kufirit, ta hidhte si plehrë dhe të më thoshte; “Tani rrini aty, mos dilni nga makina derisa t’u themi ne”. Kam pritur më tepër se një orë, kot së koti, sepse polici luante me telefon. Makinat e tjera me targa të Maqedonisë dhe Malit të Zi kalonin pa asnjë problem. Dy makina me targa shqiptare dhe unë i treti, kishim nga dy tre orë që prisnim. Pasi u tallën, vendosen te kontrollonin të gjithë çantat. Të gjitha. Makinën e bënë leckë.
E njëjta situatë ndodhi edhe në kufiri me Rumaninë. Aty nuk pritëm. Ama makina përsëri u kontrollua rëndë. Një polic, dukej që ishte i ri në profesion, “u ble” shpejt me një cigare nga unë. Filloi të më tregonte që kishin marrë urdhër që çdo makinë shqiptare ta kontrollonin rreptësisht. Arsyen nuk e dinte por kjo situatë kishte më tepër se 6 muaj që ndodhte. Madje, kishte patur raste kur i kthenin mbrapsht shqiptarët në Serbi.
Pasi prita në të dyja doganat më tepër se 5 orë, kontrollin tjetër e pata në Zvicër. Aty ishte tjetër histori. Ata nuk e hodhën pasaportën ama kontrollin e bënë deri në qelizë. Frustrimi më i madh i imi ishte se asnjë makinë tjetër nuk u kontrollua përveç times. E pyes policin dhe më thotë pa asnjë ndrojtje – “Je shqiptar, çfarë pret të ndodhë tjetër?”
Tani, në Shqipëri dhe mediat tona vështirë se gjen tema të tilla diskutimi, lidhur me politikat e jashtme të Shqipërisë në mbrojtje të shtetasve të saj apo qoftë dhe emigrantëve shqiptarë nëpër vendet e tjera.
Në mediat tona diskutohet sesi Rama i ulet gjysmë në gjunjë Melonit, sepse Ferit Hoxha minister i jashtëm ulet në karrigen e gabuar apo gafat e tij. Si ka mundësi që shumë pak ambasadorë të kenë kontakte me policinë dhe t’u kërkojnë llogari, të vendosin notë proteste apo minimumi të dërgojnë një shkresë për mënyrën sesi trajtohen shqiptarët nëpër dogana?
Mbaj mend kur shkova në Izrael para 4 vitesh, e hodhën pasaportën time sapo e panë shqiptare dhe më ruanin për armë mbi kokë për më shumë se gjashtë orë. Si ka mundësi që Rama shkon e flet në parlament ndërsa shqiptarët përditë detyrohen të trajtohen padinjitet në Izrael apo në rastet më të mira, të dërgohen tre ditë në Qipro në qeli e më pas i sjellin me avion në Shqipëri.
Si ka mundësi që në 2026 kur Shqipëria kërkon të anëtarësohet në BE, trajtohen si të pavlerë.
Kjo nuk është vetëm eksperienca ime personale, apo ndonjë tekst i shkruajtur me ChatGpt. Momentalisht, këtë postim po e shkruaj nga dogana e Kapshticës ku kam dy orë që pres të kaloj në Greqi. Këtë situatë e kanë të përditshme në kufi.
Dhe po, unë jam një shqiptar i pavlefshëm për Europën!













