ITALI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:00, pranë Piazza Milite Ignoto në Monopoli, ku ka mbetur i vdekur një i ri shqiptar. Viktima është identifikuar si Klevis Kalliu, 19 vjeç, banues në Monopoli.
Sipas mediave italiane, i riu po udhëtonte në sediljen e pasme të një automjeti tip “Mercedes”, i cili u përplas me një “Toyota Auris” të drejtuar nga një vajzë e huaj, rezidente në zonë. Goditja ka qenë aq e fortë sa të dyja makinat kanë dalë jashtë kontrollit, duke u përplasur edhe me disa mjete të tjera të parkuara, mes të cilëve dhe një furgon “Citroën”.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulancat e 118-ës, zjarrfikësit, Guardia di Finanza dhe karabinierët. Edhe pse mjekët tentuan ta risillnin në jetë 19-vjeçarin përmes masazhit kardiak dhe e transportuan me urgjencë në spitalin ‘San Giacomo’, ai fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte.
Nga aksidenti mbetën të lënduar lehtë edhe shoqja që drejtonte Toyota-n dhe një pasagjer te Mercedes-i. Autoritete bllokuan qarkullimin për disa orë për të kryer ekspertizën e plotë të ngjarjes.













