TIRANË- Policia e Shtetit ka zbardhur detaje nga operacioni i zhvilluar mbrëmjen e sotme në Sarandë, ku u godit një rast i ndërtimeve pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr.1 të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, në flagrancë janë arrestuar 8 persona, të cilët po kryenin punime në një objekt pa leje. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe pronarja e hapësirës së plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se po realizoheshin ndërtimet.
Në vijim të hetimeve të kryera në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorinë e Sarandës, janë ndaluar edhe katër efektivë policie, Gëzim Bashllari, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj.
Sipas Policisë, ata dyshohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”. Po ashtu, është pezulluar nga detyra edhe punonjësi i policisë Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga AMP.
Njoftimi i policisë:
“Policia e Shtetit/Vijojnë denoncimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për paligjshmëritë e konstatuara në terren. Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi. Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë: Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë; Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve; Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin; Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast. Pas ndalimit të këtyre punonjësve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjësit e policisë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit, për shkeljet e konstatuara, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit falënderon, inkurajon dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të policisë, si dhe çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.
Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj cilindo që shpërdoron detyrën, besimin e qytetarëve dhe ligjin.”, njofton policia













