Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë organizoi sot simpoziumin me temë “Së Bashku për Familjen: Dialog Ndërfetar dhe Institucional”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes.
Në aktivitet morën pjesë drejtues të komuniteteve fetare, përfaqësues institucionalë, anëtarë të bordeve drejtuese, si dhe përfaqësues të Departamenteve të Gruas dhe Rinisë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e familjes si institucion themelor mbi të cilin ndërtohet shoqëria. Ai nënvizoi se sfidat e kohës moderne kërkojnë një angazhim të përbashkët institucional dhe moral për mbrojtjen e saj.
“Familja është vendi ku njeriu mëson për herë të parë kuptimin e dashurisë, përgjegjësisë, sakrificës dhe respektit për tjetrin dhe Zotin. Asnjë shoqëri nuk mund të ndërtojë paqen pa paqen brenda familjes”, deklaroi Spahiu.
Ai gjithashtu theksoi përgjegjësinë që komunitetet fetare kanë ndaj shoqërisë dhe familjes shqiptare, duke qenë pranë të rinjve, prindërve, të moshuarve dhe atyre që ndihen të vetmuar apo të pasigurt në një kohë të ndryshimeve të shpejta sociale.
Simpoziumi përfshiu gjithashtu diskutime të Bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar mbi vlerat familjare në traditat fetare dhe rolin e komuniteteve në mbështetjen e familjes shqiptare. Paneli i organizuar nga Departamenti i Gruas dhe Rinisë trajtoi çështje të tilla si emigracioni dhe ndikimi i tij në strukturën familjare, sfidat e teknologjisë, edukimi dhe prindërimi, si dhe forcimi i rolit të gruas në stabilitetin familjar.













