A i gjykojmë gratë për krimet apo për historitë e tyre?

Ka hapësira institucionale që ekzistojnë fizikisht mes nesh, por mbeten thellësisht të panjohura në ndërgjegjen kolektive – institucionet penitenciare dhe veçanërisht burgu i grave, janë ndër to.

Një reflektim nga përvoja në drejtimin e burgut të grave mbi drejtësinë, përgjegjësinë dhe nevojën për të parë përtej paragjykimit.

Ishte një nga ato ditë kur vizitat sapo kishin mbaruar.

Korridori ishte bosh, por jo i qetë.
Sepse pas çdo dere kishte mbetur diçka pezull, një përqafim i ndërprerë, një fjalë e pathënë, një largim i detyruar.

Ajo ishte ulur në stol, pa lëvizur.

Në duar mbante një palë këpucë të vogla fëmije.

“M’i la sot,” më tha, pa më parë në sy.
“Ishin bërë të vogla për të dhe më tha t’i mbaj unë.”

Nuk qante.
Vetëm i mbante fort, sikur të kishte frikë se do t’i merrte dikush.

Pas pak shtoi, pothuajse me zë të ulët:
“Nuk e di nëse do ta njoh më kur të dal.”

Në atë moment kuptova se ka dënime që nuk maten me vite.
Maten me gjëra që nuk kthehen më.

——–

Ka hapësira institucionale që ekzistojnë fizikisht mes nesh, por mbeten thellësisht të panjohura në ndërgjegjen kolektive – institucionet penitenciare dhe veçanërisht burgu i grave, janë ndër to.

Diskursi publik mbi to është shpesh i thjeshtuar në terma juridikë dhe moralë: faj dhe dënim.
Megjithatë, përvoja në drejtimin e këtij institucioni më ka mësuar se realiteti është dukshëm më kompleks dhe më pak i rehatshëm për t’u pranuar.

Sepse pas çdo mase sigurie, pas çdo dere të mbyllur, nuk qëndron vetëm një shkelje e ligjit.
Qëndron një biografi.

Në Shqipëri, gratë përfaqësojnë një përqindje të vogël të popullsisë penitenciare, çka shpesh i zhvendos ato në periferi të vëmendjes institucionale dhe shoqërore.
Por kjo “padukshmëri statistikore” nuk e zvogëlon kompleksitetin e historive që ato mbartin, përkundrazi e thellon atë.

Ajo që vihet re në mënyrë të përsëritur është se shumë prej këtyre historive nuk fillojnë në momentin e kryerjes së veprës penale.
Ato janë rezultat i ndërthurjes së faktorëve socialë, ekonomikë dhe psikologjikë, të cilët, në mungesë të mekanizmave mbështetës, krijojnë trajektore që shpesh përfundojnë në konflikt me ligjin.

Kjo nuk relativizon përgjegjësinë individuale. Por e vendos atë në një kontekst që kërkon më shumë se një lexim të thjeshtë ndëshkues.

Sepse drejtësia, në kuptimin e saj më të plotë, nuk mund të reduktohet vetëm në vendimin penal.
Ajo përfshin edhe kapacitetin e një sistemi për të mundësuar reflektim, transformim dhe riintegrim.

Në këtë kuptim, sfida reale nuk është vetëm administrimi i dënimit, por menaxhimi i asaj që vjen pas tij.

Çdo individ që kalon nëpër sistemin penitenciar, në një moment të caktuar, rikthehet në shoqëri.
Dhe pikërisht në atë pikë, ndërthuren dy përgjegjësi: ajo individuale për të mos përsëritur gabimin, dhe ajo kolektive për të mos e bërë rikthimin të pamundur.

Sepse një shoqëri që përkufizon individin vetëm nga momenti i tij më i keq, rrezikon të mohojë vetë parimin mbi të cilin ndërtohet zhvillimi social- mundësinë për ndryshim.

Përvoja më ka bindur se, përtej çdo klasifikimi juridik, ekziston një element i përbashkët:
nevoja për t’u parë jo vetëm si subjekt i dënimit, por edhe si individ me potencial për një rrugë tjetër.

Ndoshta është koha që debati publik të evoluojë,nga një qasje që fokusohet ekskluzivisht në faj, drejt një kuptimi më të gjerë të përgjegjësisë dhe mundësisë.

Sepse në fund, mënyra si një shoqëri trajton ata që kanë gabuar, nuk është thjesht çështje sistemi.
Është tregues i nivelit të saj të pjekurisë.

Ajo që vendosim të shohim, apo të mos shohim, thotë më shumë për ne sesa për ata që gjykojmë.

——–

Në këtë kontekst, një qasje më e plotë ndaj sistemit kërkon disa hapa të matshëm dhe të zbatueshëm brenda kuadrit ligjor shqiptar:

Zhvillimin e programeve të specializuara për gratë në burg, që adresojnë nevoja specifike si roli prindëror, trauma dhe riintegrimi social.
Forcimin e masave alternative ndaj dënimit me burg, aty ku është e mundur ligjërisht, veçanërisht për rastet me rrezikshmëri të ulët, duke shmangur efektet afatgjata të izolimit.
Rritjen e mbështetjes psikologjike dhe sociale gjatë dhe pas vuajtjes së dënimit, për të reduktuar rrezikun e rikthimit në sistem.
Krijimin e mekanizmave më efektivë për riintegrimin në tregun e punës, përmes bashkëpunimit me institucionet publike dhe sektorin privat.
Forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, midis sistemit penitenciar, shërbimeve sociale dhe strukturave të komunitetit, për të garantuar vazhdimësi në mbështetje.
Këto nuk janë vetëm masa sociale, janë investime në një shoqëri më të qëndrueshme dhe më të sigurt.

Sepse pas çdo dënimi ka një histori që vazhdon.
Një fëmijë që pret.
Një jetë që duhet të rindërtohet.

Dhe ndoshta drejtësia e vërtetë nuk është vetëm të japësh një dënim,
por të sigurohesh që, kur ai mbaron,
të ekzistojë ende një rrugë përpara.

Sepse ndonjëherë, ajo që një njeri ka më shumë nevojë,
nuk është gjykimi, por një shans për të mos qenë më ai që ishte.