Toksikologia jep alarmin! Adoleshentët po konsumojnë kokainë

Shifrat e të rinjve që konsumojnë lëndë narkotike në Shqipëri janë në rritje të vazhdueshme. Mjekët toksikologë japin alarmin se kanabisi nis në mosha të hershme dhe po shërben si substancë trampolinë për kalimin në drogëra të forta.

“Ajo çfarë shohim si trend është se nëse kanabisi ka qenë substancë e parë e konsumuar dhe më e shpeshtë edhe në mosha të vogla tani po prevalon konsumimi I kokainës edhe në mosha të vogla. Shohim gjithashtu që ulja e moshës së përdorimit të kokainës shton edhe më tej problematikat e shëndetit fizik, moral, mendor“, tha Sonila Tivari Bitri, toksikologe.

Me shqetësim mjekja thotë se kanabisi po pihet edhe nga fëmijët, ndërsa kokaina nuk quhet më susbstancë elitare.

“Kanabisi dhe 11-12 vjeç, kokaina 20 vjeç, 18 vjeç, ndërkohë që deri para 5 vitesh kokaina është konsideruar susbstancë elitare si në moshë si në status social, pra jo çdokush mundet të konsumojë kokainën , tani po shohim që dhe adoleshentë po e konsumojnë kokainën. Shpesh herë janë dhe në rrjetin e shpërndarëve kështu që e ke më të lehtë se bëhet mjet pune le të themi”, shtoi ajo.

Në këto kushte apeli i mjekes është në drejtim të ndërgjegjësimit dhe parandalimit tek të rinjtë, pasi eksperimentimi me lëndët narkotike nis shpesh nga kureshtja dhe në festat shoqërore.