Në rrugët nacionale nuk do të këtë më patrulla policisë, por shkeljet do të konstatohen nëpërmjet dronëve dhe teknologjisë policore. Ky është urdhri i Skënder Hitës, drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit i cili nëpërmjet një Telegrami ka udhëzuar vartësit e tij për ndalimet për verifikime. Ndërkohë, në raste të veçanta në terren do të dalin shefat e sektorëve apo seksioneve të policisë rrugore.
10 ditë pasi mori detyrën e drejtorit të përgjithshëm, Skënder Hita ka firmosur urdherat e parë sa i takon organizimit dhe funksionit të policisë së shtetit.
Hita nëpërmjet një telegrami u ka kërkuar vartësve të tij heqjen e shërbimeve të dukshme të policisë rrugore nga akset nacionale dhe jo vetëm.
Sipas urdherit në fjalë, drejtori i përgjithshmë thotë së ka marrë ankesa të shumta të qytetareve të cilët kanë shprehur shqetësime mbi ndalimet rutinë të kryera pa një bazë të qartë ligjore apo vonesat e panevojshme që këto veprime shkaktojnë gjatë udhëtimit.
Praktika e ndalimit të mjeteve për verifikim nuk do të përdoret më.
Në të tilla kushte drejtori i përgjithshëm udhëzon që shkeljet e qarkullimit rrugor të konstatohen përmes pajisjeve teknologjike si radarët për shpejtësinë, në opsionin automatik dhe dronët.
Por në rastet kur për shkak të situatës, kërkohet konstatimi i shkeljeve në prezencë të drejtuesve të mjeteve, telegrami udhëzon që të hartohet një plan i qartë masash për pikat e kontrollit dhe në krye të tyre të jenë shefat e sektorëve apo seksioneve të policisë rrugore.
Kryepolici Hita ka kërkuar që prej 10 prillit të ndërpritet menjëherë praktika e ndalimit të automjeteve nga rrugorët me motivacionin “për verifikim”.













