Ekzekutuan vrasësin e babait të Stenaldos dhe u arratisën/ Kush janë dy vëllezërit e arrestuar në Itali

ITALI- Policia e Shtetit njoftoi sot se janë arrestuar në Itali dy vëllezërit shqiptarë, Artur dhe Arben Mëhilli të cilët ishin të dënuar për një vrasje të kryer në vitin 1999, në Lushnje. Vëllezërit Mëhilli kanë vrarë Rezar Metaj për hakmarrje, pasi ky i fundit në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, po në Lushnje dhe ende nuk ishte arrestuar asokohe nga policia. Pas hakmarrjes dy vëllezërit u arratisën në Itali me identitete të rreme. Me emrat e ndërruar në Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, vëllezërit nga Lushnja nisën jetën në shtetin fqinj, duke siguruar edhe leje qëndrimi.

Por kush janë dy vëllezërit e arrestuar

Artur dhe Arben Mëhilli janë dy xhaxhallarët e Stenaldo Mëhillit, gazetarit i cili u bë i famshëm së fundmi me pjesëmarrjen e tij në “Big Brother VIP”, aty ku Stenaldo tregoi edhe detajet e vrasjes së babait të tij kur ishte vetëm 1 muajsh.

Kryen vrasje për gjakmarrje në Lushnje në vitin 1999/ Kapen në Itali dy vëllezërit shqiptarë, fshiheshin me identitete false (EMRAT)
Si u zbuluan dy vëllezërit në shtetin fqinj

Artur dhe Arben Mëhilli u zbuluan, pasi disa familjarë të lidhur me ta jetonin në një zonë dhe raportimet qarkulluan menjëherë në Itali. Në mungesë të shenjave të gishtërinjve në Shqipëri, Agjentët e Interpolit në Tiranë, arritën të gjejnë fotografi të vjetra të dy vëllezërve Mëhilli.

Nga krahasimi i bërë mes fotove të vjetra të Artur dhe Arben Mëhilli dhe fotografive të dërguara nga Italia të shqiptarëve me identitetet e tjera, u arrit në përfundimin se ata janë dy personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arturi ishte 33 vjeç kur u kreu vrasjen, ndërsa sot në Itali u vu në pranga në moshën 60-vjeçare. I vëllai Arbeni, ishte vetëm 27 vjeç, ndërsa sot është 54-vjeçare. Ata u dënuan nga Gjykata e Lushnjes me 32 vite në total për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje Pas arrestimit në shtetin fqinj, autoritetet shqiptare dhe italiane po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat e ekstradimit në Shqipëri të Artur dhe Arben Mëhillit, për të vuajtur dënimin.

Stenaldo mes lotësh dhe emocioneve, rrëfeu plagët e thella që e kanë shoqëruar që në fëmijëri, një ndër ta humbja tragjike e babait. Ai tregoi se babai i tij u vra në një mënyrë të poshtër, nga dikush që mbasi i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij.

Çfarë rrëfeu Stenaldo në “Big Brother VIP”

“Unë kam lindur në Lushnje në 28 maj të 1997. Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, hiq muajin e parë të jetës time, derisa im atë në qershor të po atij viti ndërroi jetë, I vrarë në një mënyrë të poshtër në atë vit të poshtër për të gjithë shqiptarët që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë. U vra nga dikush mbasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët. Kur njeriu rritet me një humbje të tillë nuk ka me asnjë moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një moment kur ti e mëson, ti thjesht e di që ndryshe nga fëmijët e tjerë babai jot nuk është aty,” tha Stenaldo