Procedohen disa shtetas për vepra penale në fushën e narkotikëve në Elbasan

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal ndaj disa shtetasve për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të kontrolleve të ushtruara, shtetasve E. H., 35 vjeç dhe A. Rr., 32 vjeç, iu gjetën dhe sekuestruan sasi lëndësh narkotike të dyshuara si Cannabis Sativa dhe kokainë. Po ashtu, procedim penal nisi edhe për shtetasin F. D., 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.

Ndërkohë, procedim penal nisi edhe për shtetasit L. Xh., 19 vjeç, K. B., 25 vjeç, I. S., 31 vjeç dhe O. S., 24 vjeç. Sipas hetimeve, 19-vjeçari posedonte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tre shtetasit e tjerë dyshohet se kishin dijeni për këtë rast dhe nuk kanë bërë kallëzim.

Lëndët narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.