Shpërthim i fuqishëm në Lezhë, dyshohet për bombol gazi në një lokal; dëme të shumta materiale

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:00, në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe panik te banorët e zonës.

Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ka ndodhur brenda një lokali (byrektore), ku dyshohet se ka plasur një bombol gazi. Si pasojë, përveç dëmtimeve në ambientet e biznesit, janë prekur edhe dy subjekte tregtare ngjitur, si dhe tre automjete të parkuara pranë vendit të ngjarjes. Dëmtime janë konstatuar edhe në xhamat e disa banesave përreth.

Zhurma e fortë e shpërthimit ka alarmuar banorët, një pjesë e të cilëve kanë dalë jashtë banesave të frikësuar. Fatmirësisht, nga të dhënat e deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe duke nisur veprimet hetimore. Në një njoftim zyrtar, autoritetet bëjnë me dije se lokali është në pronësi të shtetasit me iniciale K. M., ndërsa dyshimet paraprake lidhen me shpërthimin e një bombole gazi.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të shpërthimit, si dhe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.