Origjinaliteti i Mimoza Ahmetit në “Ferma VIP 3”, guximi që nxit për të qenë vetja në një botë maskash

Admirimi për UNI-n e Mimoza Ahmetit, shpresë për të guxuar të jesh vetja, lind si një nevojë e thellë për autenticitet në një realitet që shpesh e shpërblen maskën më shumë se të vërtetën. Në një kohë kur konformizmi shitet si siguri, ajo vjen si një thirrje për të mos e tradhtuar thelbin, për të mos e zbutur zërin e brendshëm dhe për të mos e fshehur atë që jemi, sado e papërshtatshme të duket.

Hyrja e Mimoza Ahmetit në Ferma VIP 3 nuk duhet lexuar thjesht si një lëvizje mediatike, por si një provokim ontologjik. Në një ambient të ndërtuar mbi skenarë të parashikueshëm dhe “shabllone” sjelljeje, Mimoza shfaqet si një “anomali” e bukur, duke vërtetuar se spontaniteti nuk është mungesë kontrolli, por forma më e lartë e lirisë. E kush më me origjinalitet dhe integritet mund t’i hyjë një beteje të tillë vec saj.

Ajo që po ndodh me Mimoza Ahmeti nuk është vetëm fenomen i audiencës, por një simptomë e një nevoje më të thellë shoqërore, nevoja për të parë dikë që nuk negocion me vetveten. Spontaniteti i saj nuk është thjesht një tipar karakteri, është një akt rezistence. Moskokëçarja e saj nuk është papërgjegjshmëri, është refuzim i disiplinimit social që kërkon uniformitet emocional dhe sjellor. Në këtë kuptim, ajo shfaqet si një figurë që i afrohet konceptit të individit autentik të Fridrih Niçe, një qenie që nuk kërkon të përshtatet me moralin e turmës, por të krijojë një moral të vetin.

Në një realitet ku spektaklet shpesh konsiderohen si “vrarje kohe”, fenomeni Ahmeti sugjeron të kundërtën, se këto hapësira mund të kthehen në laboratorë socialë, ku testohen kufijtë e pranueshmërisë, sinqeritetit dhe lirisë. Në këtë laborator, ajo nuk luan rol, ajo është. Dhe pikërisht ky “të qenit” e bën të papajtueshme me normat. Sepse normat nuk janë ndërtuar për të pranuar autenticitetin e papërpunuar, por për ta filtruar atë.

Fakti që Big Brother VIP Albania duket se është sfiduar në vëmendje nga ky format tjetër nuk është vetëm çështje audience apo strategjie mediatike. Është tregues se publiku, ndoshta në mënyrë instinktive, po zhvendoset nga konsumimi i konfliktit artificial drejt një lloj “tensioni të vërtetë”, përplasjes mes individit dhe shoqërisë. Dhe në qendër të këtij tensioni qëndron një figurë e vetme, një paradoks i trishtë i kulturës sonë, që shpesh ka nevojë për një individ të vetëm për të artikuluar një krizë kolektive.

Por për ta kuptuar këtë shpërthim aktual, duhet rikthyer vështrimi në origjinë. Mimoza Ahmeti nuk është produkt i këtij momenti, edhe pse për shumëkënd ajo tani po njihet, tani zbulohet, por ajo nuk është një e sotme përtej kamerave, ajo është një vijimësi. Në vitet ’90, kur Shqipëria po dilte nga një regjim që kishte sterilizuar gjuhën dhe trupin, ajo bëri diçka që pak guxonin, e riktheu trupin në ligjërim. E trajtoi erotiken jo si provokim vulgar, por si një dimension ontologjik të qenies. Në këtë pikë, ajo i afrohet jo vetëm filozofisë së Michel Foucault mbi trupin si fushë pushteti dhe rezistence, por edhe psikanalizës së Sigmund Freud, ku dëshira nuk është devijim, por themel i subjektit.

Ajo e zhvendosi gruan shqiptare nga një figurë simbolike,“nënë”, “motër”, “sakrificë”, në një subjekt që dëshiron, që flet, që kundërshton. Ky ishte një akt jo vetëm letrar, por politik në thelbin e tij. Sepse, siç do të thoshte Simone de Beauvoir, gruaja nuk lind si e tillë, por bëhet, dhe Ahmeti kontribuoi pikërisht në këtë “bërje”, duke i dhënë zë një identiteti që deri atëherë ishte i heshtur.

Në planin estetik, ajo theu jo vetëm normat morale, por edhe ato gjuhësore. Poezia e saj nuk kërkonte të ishte e bukur sipas kanoneve, ajo kërkonte të ishte e vërtetë. Duke përfshirë koncepte nga shkenca, filozofia dhe përditshmëria, ajo krijoi një diskurs që e çliroi poezinë nga sentimentalizmi dhe e futi në një dimension më intelektual dhe provokues. Kjo e bën atë një figurë që mund të lexohet në dritën e modernitetit radikal, një përpjekje për të krijuar kuptim në një botë pa garanci.

Po aq e rëndësishme është se ajo e kuptoi herët se krijimtaria nuk mjafton pa performancë. Në këtë aspekt, ajo parapriu epokën e sotme të mediave sociale, e ktheu veten në një tekst të gjallë, ku veshja, qëndrimi, fjala dhe heshtja ishin pjesë e një narrative të vetme. Ajo nuk ishte vetëm autore; ishte vepra e saj.

Dhe sot, në një realitet të dominuar nga algoritmet, TikTok, Instagram, YouTube, është paradoksale që një figurë e lindur në një epokë analoge po arrin të dominojë një hapësirë digjitale. Por kjo ndodh sepse algoritmi, në thelb, favorizon atë që është e dallueshme. Dhe asgjë nuk është më e dallueshme sesa autenticiteti i pakompromis i saj.

Megjithatë, ky fenomen nuk është pa kosto. Të jesh Mimoza Ahmeti do të thotë të pranosh izolimin, keqkuptimin, shpesh edhe stigmatizimin. “Delja e zezë” nuk është thjesht metaforë; është një status social që paguhet me vetmi. Në këtë kuptim, ajo ka paguar çmimin e të qenit përpara kohës së saj. Dhe sot, në një kthesë ironike, shoqëria duket se po paguan çmimin e mungesës së guximit për të qenë si ajo.

Ajo që po shohim nuk është vetëm admirim, është një lloj katharsisi kolektiv. Një përballje me një figurë që i detyron njerëzit të pyesin veten, sa prej nesh janë realisht vetja? Dhe sa prej nesh jetojnë brenda një roli të diktuar?

Fenomeni Ahmeti nuk është një episod mediatik. Është një shenjë. Një tregues se, pavarësisht gjithë cinizmit, gjithë konsumit të shpejtë dhe gjithë lodhjes nga spektakli, ekziston ende një hapësirë për të vërtetën, edhe kur ajo është e pakëndshme, edhe kur ajo trazon, edhe kur ajo nuk përputhet me pritshmëritë.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ajo po admirohet sot nga breza që nuk e kanë jetuar kohën e saj, shumë prej të cilëve e njohin vetëm sot, sepse në një botë ku gjithçka mund të simulohet, ajo mbetet një nga të paktat gjëra që nuk mund të falsifikohet.

Mimoza Ahmeti, e ka bërë në filozofinë e sajë të të kuptuarit dhe të të bërit të gjërave, dhe të njëjtën gjë po bën edhe sot, sot që janë më shumë kamera që e vëzhgojnë, më shumë sy që e shohin, më shumë njerëz që po e admirojnë. Ajo po rikonfirmon edhe në Ferma VIP 3 se të jesh “vetvetja” nuk është një qëllim që arrihet, por një betejë që fitohet çdo ditë. Mimoza Ahmeti nuk po ndërton thjesht një epokë të re në televizion, ajo po na fton të gjithëve në një “fermë” të madhe shpirtërore, ku e vetmja rregull është të mos kesh frikë nga liria jote, nga të qenit vetja, nga të shprehurit hapur, pa frikën se do të keqkuptohesh. Ajo mbetet pika ku takon poezinë me jetën, duke e bërë çdo fjalë dhe veprim të saj një manifest të shpresës se ky vend ka ende forcë për t’u mrekulluar nga e vërteta.