Ekskluzive/ Anija shqiptare ‘Rafaelo’ shpëton 38 emigrantë në detin Mesdhe. Rrëfimi i marinarit elbasanas Dhimitër Lala

Fotot që shihni i përkasin anijes tregtare shqiptare “Rafaelo”, e cila, gjatë kthimit nga Aleksandria (Egjipt), ka shpëtuar 38 emigrantë sudanezë në ujërat ndërkombëtare.

Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, në det të hapur, në zonën ndërmjet Libisë dhe ishullit të Kretës.

Fillimisht, në drejtim të anijes ka ardhur një sinjal nga kapiteneria greke për një objekt në rrezik, që kërkonte ndihmë rreth 100–150 kilometra larg. Në këto kushte, anija shqiptare ka ndryshuar kurs dhe ka nisur operacionin e kërkimit.

Marinari shqiptar nga Elbasani, Dhimitër Lala, bën me dije se pas 4–5 orësh kërkime në det të hapur, “Rafaelo” ka pikasur një gomone në gjendje të rënduar, me rrezik të lartë për t’u përmbysur, kryesisht për shkak të mbingarkesës dhe kushteve të vështira të detit.

Ndërsa ekuipazhi shqiptar ka nisur operacionin e shpëtimit, në ndihmë u është bashkuar edhe anija e madhe transoqeanike italiane “Olbia”. Brenda një kohe të shkurtër, është bërë e mundur evakuimi i të gjithë personave në rrezik në bordin e anijes shqiptare, për t’iu dorëzuar më pas autoriteteve greke.

Në total, janë shpëtuar 38 emigrantë, të gjithë të moshës 18–30 vjeç.

Prej vitesh, Deti Mesdhe vijon të mbetet një nga rrugët më të rrezikshme për emigrantët, shpesh i cilësuar edhe si “varreza” e tyre.