Realiteti i ditëve të sotme në mjaft lagje e fshatra,sidomos në fshatrat malorë të Librazhdit si në të gjithë Shqipërinë
është i trishtë.
Lagje të tëra duken të shkretuara. Në shumë prej tyre shikon vetëm toka të lëna djerrë, pemë të thara, shtëpi e stalla të rrënuara e rrugë të shkatërruara. Ky realitet i dhimbshëm prek disa nga fshatrat që dikur ishin më të populluarit e numeronin mbi 100 -200 familje.
Familjet që jetojnë sot në disa fshatra të Librazhdit numërohen me gishtat e dorës e kjo për shkak të jetesës së vështirë. Në këto fshatra malorë, familjet që kanë mbetur mbijetojnë përmes kopshtarisë, bletarisë, bujqësisë e blektorisë.
Në fshatrat e vegjël ato tri apo katër familje që kanë mbetur vijnë për të jetuar vetëm gjatë stinës së verës, ndërsa në dimër largohen përsëri.
Të rinjtë kanë emigruar prej vitesh, kanë mbetur vetëm të moshuar që e vizitojnë vendin qoftë për freskinë që ofron në ditët e nxehta të verës e shpesh për nostalgji.
82 vjeçarja Dije Dobra ,një grua e zgjuar dhe e mënçur,nënë e dhjetë fëmijëve e cila jeton ende në lagjen Arrës të fshatit Gizavesh në Njësinë Administrative Dorëz në Bashkinë e Librazhdit tregon me dhimbje se në lagjen ku ajo jeton nuk ka familje të tjera.
“Vite më parë ishim qindra familje sot kemi mbetur vetëm një nga fisi Dobra në pjesë e sipërme të lagjes më të famshme të gjithë zonës së Dorëzit.Dikur këtu jetonin djem e vajza punëtore, inteligjente e të bukura e të shkolluara,ndërsa sot as nuse nuk vijnë më në këtë fshat edhe sikur të urbanizohet e të ndërtohen vila luksoze”.
E ardhmja e mjaft fshatrave duket e zymtë, teksa çdo ditë që kalon, edhe ata banorë që jetojnë aty kërkojnë të largohen drejt qytetit apo në emigrim.
Nënë Dije Dobra tregon se ajo jeton në fshat me njërin nga djemtë dhe nusen e tij së bashku me tre fëmijët e tyre.
“Kam ardhur nuse 18 vjeçe në këtë fshat në vitin 1960 dhe sot jam 82 vjeçe. Solla në jetë 10 fëmijë, 7 vajza dhe 3 djem dhe sot kam 35 nipër, mbesa, stërnipër e stërmbesa të cilë jetojnë në Greqi e Itali. Unë duke qenë në moshë të thyer, vendosa të qëndroj në fshat pasi në këtë moshë ishte shumë e vështirë të ambientohesha me jetën e zhurmshme të qytetit”-shprehet ajo.
Im bir Hekurani që kujdeset për mua e ka blerë një apartament të mirë në periferi të Elbasanit, por jeton ende këtu në fshat edhe pse na mungojnë fqinjët, mungon rruga e çdo gjë tjetër. Sivjet djali i tij i madh është maturant dhe e ndjek Gjimazin larg në fshatin Dorëz. Nipi e ka ëndërr të studiojë në Akademinë e Policisë. Edhe mbesa është në Gjimnaz dhe studion shumë.I vogli është Hasani 12 vjeç. Ai mban emrin e Gjyshit të tij, pra të bashkëshortit tim
të ndjerë dhe është tip studioz. Im bir Hekurani dhe e shoqja e tij rropaten me punët nga mëngjesi herët deri në mbrëmje vonë. Më dhimbsen se sakrifikojnë e lodhen shumë. Duhet të kujdesen për mua , për mirëqenien e familjes, për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve, për të mbjellat, për bagëtitë, për pemët, për gjithça. Jeta këtu dhe sidomos në fshatrat e thellë të Shqipërisë në këtë kohë është mjaft e vështirë. Që të jetosh në kushte minimale duhet të punojnë të gjithë si i mituri, adoleshenti, i rrituri edhe i moshuari”-thotë 82 vjeçarja .
Fshatra të tërë të rrethit të Librazhdit ashtu si të gjitha fshatrat e Shqipërisë po vazhdojnë braktisen,ndërsa të rinjtë emigrojnë. Aktualisht ata që kanë mbetur janë pothuajse vetëm të moshuar , të cilët nuk kanë ku të shkojnë tjetër ose kanë vendosur vetë që të mos largohen deri në fund të jetës nga vendlindja. Të gjithë shqiptarët edhe gjatë viteteve të fundit po rendin nga fshati drejt qyteteve të mëdha duke u ndjerë të detyruar për ti “braktisur” këto fshatra që u mungon infrastruktura. Kanë mbetur pa rrugë, pa ambulancë e pa shkolla fillore. Momentalisht situata e braktisjes së fshatit dhe zhvendosja e popullsisë drejt qytetit është alarmante dhe në shumicën e lagjeve në fshatra.
Mungesa e infrastrukturës dhe cilësia e dobët e saj si edhe mungesa e shërbimeve bazë janë ende dukshëm më të ulëta në zonat rurale, dhe veçanërisht në zonat e thella dhe malore. Kjo kja sjellë rënie të popullsisë në fshatra dhe në vitet në vijim do ketë rënie drastike edhe në numrin e atyre pak fermave blegtorale të vogla dhe të mesme edhe pse tregu është i ” uritur” për mish dhe bulmet.
Nëse kjo situatë vazhdon e tillë, në këto përmasa, pasojat do të jenë katastrofike.
