Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka zhvilluar mbledhjen e Komitetit te Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit.
Në një prononcim pas përfundimit të mbledhjes, Vengu bëri të ditur se janë rreth 800 banesa të prekura nga uji si dhe 180 banorë të evakuuar.
Ai theksoi se strukturat janë në terren dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi rreziku nuk ka kaluar ende.
“Kemi një situatë me prezencë uji në ish-Kënetë, në Shkozet, zonën e ish-Nishtullës dhe mbeten në terren të angazhuara të gjitha skuadrat, qofshin këto civile, qofshin dhe të Forcave të Armatosura të cilat gjatë mbasdites kanë ardhur në mbështetje të skuadrave të bashkisë së Durrësit”.
“Nuk do ndahemi nga terreni deri sa të ketë largim total të ujërave, do jetë një natë dinamike, reshjet do të vazhdojmë”, tha Vengu.
“Kemi një konstatim, se kemi 800 banesa të prekura nga uji, me prezencë uji brenda tyre. Janë evakuuar rreth 180 banorë, të cilët janë akomoduar në dy kavaleshenca të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes dhe do të marrim të gjithë trajtimin qoftë edhe ushqimor apo mjekësor në rast se është nevoja, për të kaluar këtë natë dhe orët e para të mëngjesit”.
Ai tha se parashikohet prurje domethënëse, “i gjithë fokusi ynë është të parandalojmë situata eventuale në basenin e Erzenit sepse nuk duam që të kemi edhe një situatë dinamike atje në Erzen dhe të kemi problematika dhe në zonën e Shijakut”.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako shtoi se “në pjesën e parë të ditës shumica e atyre që merrnin në telefon nuk pranonin të evakuoheshin, por duke qenë se shirat patën kapacitete dhe kohëzgjatje të lartë, kemi evakuuar 180 persona që janë akomoduar në kavalishencë dhe u është siguruar edhe ushqim”.
Ndërkohë, të dyja kavalishencë janë të hapura për të akomoduar qytetarët e evakuuar.













