Një mësues me përvojë të gjatë në arsim ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak teksa kthehej për në shtëpi, pas përfundimit të detyrës së tij në fshatin e largët Marjan, në bashkinë e Maliqit.
Alban Bejleri, i cili kishte rreth tre dekada eksperiencë në arsim, prej pesë vitesh jepte mësim në këtë zonë të thellë. Çdo ditë ai përshkonte në këmbë rreth 7 deri në 8 kilometra për të arritur në shkollë, ku zhvillonte procesin mësimor për vetëm dy nxënës.
Sipas familjarëve, Bejleri ishte një njeri i përkushtuar ndaj profesionit, që nuk shprehte asnjëherë ankesa për vështirësitë që haste. Ata kanë reaguar me dhimbje dhe indinjatë pas ngjarjes, duke ngritur shqetësime për kushtet në të cilat ai detyrohej të punonte.
Edhe kolegët e tij e kujtojnë si një mësues shembullor, i cili përballej çdo ditë me sfida të mëdha, si infrastruktura e dobët dhe lodhja fizike. Udhëtimi i tij përfshinte fillimisht mbërritjen në zonën e Lozhanit dhe më pas ecjen në këmbë drejt fshatit ku jepte mësim për 7-8 km.
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët dhe të afërmit, të cilët hedhin akuza ndaj politikës për vendimmarrjen në sistemin arsimor dhe më gjerë.Ata kërkojnë më shumë përgjegjësi në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Familjarët dhe të afërmit e tij e përshkruajnë si një njeri të përkushtuar dhe të palodhur, që nuk u tërhoq asnjëherë nga misioni i tij si mësues, pavarësisht vështirësive të shumta. Xhaxhai i tij, Besim Bejleri, shprehet se Albani ishte një ndër më të veçantët në një familje ku ka plot 17 mësues, duke e cilësuar si fjalëpak, punëtor dhe me besim të fortë.
Sipas familjarëve, pas një periudhe jashtë sistemit arsimor, ai ishte rikthyer në profesion rreth 5-6 vite më parë, por ishte caktuar të punonte në një zonë të thellë të Maliqit, edhe pse kishte kërkuar të afrohej pranë familjes në Devoll. Çdo ditë, ai përshkonte rreth 7 kilometra për të shkuar në shkollë dhe po aq për t’u kthyer, në kushte të vështira terreni, ndërkohë që institucioni ku jepte mësim kishte mbetur me vetëm dy nxënës.
Edhe kolegët e tij ndajnë të njëjtin vlerësim, duke theksuar përkushtimin maksimal dhe sakrificat e përditshme që ai bënte për të kryer detyrën. Ata tregojnë se mësuesi udhëtonte deri në zonën e Lozhanit dhe më pas vijonte në këmbë drejt shkollës në fshatin Marjan, një rutinë që e kishte ndjekur për vite me radhë.
Të afërmit bëjnë me dije se ai vuante nga diabeti, por nuk kishte shfaqur më parë probleme me zemrën. Pavarësisht gjendjes shëndetësore, ai nuk e ndërpreu asnjëherë punën, duke qëndruar në detyrë deri në ditën e fundit të jetës.
Mes dhimbjes, familjarët dhe miqtë e tij bëjnë thirrje për më shumë vëmendje ndaj kushteve të punës dhe shëndetit të mësuesve, duke e konsideruar humbjen e tij si një alarm për institucionet përgjegjëse.













