7 bashki bëhen pronare të inceneratorit të Elbasanit, ja si do të menaxhohet impianti

Kompania e ndërtimit të inceneratorit tashmë e ka mbyllur misionin e saj. Në 16 dhjetor albtec energy do ja dorëzojë inceneratorin bashkisë Elbasan e cila po përballet së fundi me një sfidë të madhe menaxhimi që do të ketë edhe kosto të mëdha vendore. Kështu në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak u miratua krijimi i një shoqërie aksionerësh ku të shtatë bashkitë e qarkut të Elbasanit do të jenë pjesë. Ndërkohë që bashkia Elbasan do ta quajë EKO Elb shoqërinë anonime që duhet të marrë vlerë ligjore nëpërmjet regjistrimit, Bashkia Belsh ka vendosur një tjetër emërtim “Trajtim mbetjesh Elbasan” sh.a dhe duket se bashkitë nuk janë koordinuar shumë mirë me njëra-tjetrën përballë kësaj situate. Në relacionin shoqërues të Këshillit Bashkiak Elbasan thuhet se është arritur dakordësi për krijimin e një personi juridik të përbashkët, shoqëri tregtare në formën e një shoqërie aksionere ku të gjitha bashkitëthemeluese të jenë pronare dhe të kenë të drejta administrimi.
Megjithëse kryetari I bashkisë Gledian Llatja gjatë mbledhjes jasht radhe të zhvilluar për këtë çështje u përpoq të justifikojë rëndësinë dhe rrugët që po ndiqen për menaxhimin në vazhdim të inceneratorit ai në asnjë moment nuk përmendi kostot që do të ketë institucioni vendor përballë kësaj sfide të re për pushtetin vendor. Gjithashtu nga këshilltarët nuk u ngrit asnjë pyetje e tillë gjatë mbledhjes për të mësuar se cila do të jetë kostoja e menaxhimit të impiantit dhe si do të përballohet kjo nga bashkia Elbasanit.
Pritet që këtij bashkimi ti shtohet edhe Rrogozhina që mund të sjellë mbetjet me një ndalesë në Peqin. Ndërkohë bashkitë e tjera do të duhet të përballojnë kostot e transportit dhe të bëhen pjesë e menaxhimit të inceneratorit dhe mbetjeve që do të depozitohen në landfill.