Çifti Kalaj jeton në qiell të hapur për shkak të pamundësisë për të siguruar një strehë.
58-vjeçari Kalo Kalaj banor i fshatit Dragot në Tepelenë është i paaftë për punë ndaj trajtohet me pension invaliditeti prej 7 mijë lekësh në muaj.
Jeton në këtë ngrehinë, me katër mure pa çati mbi krye. Kishte nisur ta ndërtonte shtëpinë e re para disa vitesh, por një aksident rrugor i ndërpreu ëndrrën për të punuar e gëzuar një shtëpi të re.
Kalo me bashkëshorten flenë në dysheme, ndërsa me bukë i mbajnë të afërmit. 58-vjecari ka pësuar aksident para tre viteve, duke mbetur sakat. Edhe e shoqja është e papunë. Të ardhurat e kësaj familje janë 10 mijë lek në muaj, 7 mijë pension invaliditeti dhe 3 mijë asistencë sociale.
Një copë llamarine e mbron nga shiu, ndërsa plastmaset për t’u mbrojtur nga era pasi fshati Dragot ndodhet nën rrymën e Grykës së Këlcyrës.