461 mijë shqiptarë në rrezik varfërie, jetojnë me afro 27 mijë lekë në muaj!

Afro 461 mijë shqiptarë jetojnë në kufi të rrezikut për të qenë të varfër sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave.

“Në vitin 2024, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, është 19,2 %, duke pësuar një rënie prej 0,6 pikë përqindje, krahasuar me të dhënat e rivlerësuara për vitin 2023. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2024 është vlerësuar me 324.336 lekë, në krahasim me 262.325 Lekë që ishte në vitin 2023”, thotë INSTAT.

Që një individ të mos konsiderohet i varfër, duhet të marrë minimalisht 27 mijë lekë në muaj, praktikisht ky është ‘minimumi jetik’ për vitin 2024, ndërsa në vitin 2023 ky tregues ishte afro 22 mijë lekë në muaj. Varfëria në vend do të ishte edhe më e lartë nëse do të mungonin ndihmat ekonomike apo pensionet. Në raport vlerësohet se përfitimet sociale, si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshirë në të ardhurat familjare, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër.

“Në vitin 2024, 36,7% e popullsisë do të vlerësohej në rrezik për të qenë të varfër, nëse tek të ardhurat e disponueshme do të përjashtoheshin të gjitha përfitimet sociale (duke përfshirë edhe pensionet e pleqerisë/familjare)”, thotë INSTAT.

Në vitin 2024, përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër, në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët, krahasuar me familjet me fëmijë në varësi. Për këto rezultate INSTAT thotë se janë përgjigjur janë 6.942 familje, nga 6.822 familje që u përgjigjën në vitin 2023. Pas përgjigjeve të dhëna ka rezultuar sipas raportit se të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri janë 51.122 lekë në muaj ose 613.464 lekë në vit.