4 me 0 fiton Egnatia me Elbasanin që zbret në vendin e tretë

Egnatia i dha një mësim të qartë futbolli Elbasanit, duke fituar me rezultatin 4-0 në ndeshjen e javës së parë të Final Four, një duel që mund të ndikojë ndjeshëm në garën për titull këtë sezon.

Ndeshja nisi me dominim të Egnatias, e cila arriti të shënojë tre gola në pjesën e parë. Në minutën e 28-të, Bakajoko zhbllokoi rezultatin pas një topi të ulur nga Gruda. Më pas, në shtesën e pjesës së parë, Fernando dyfishoi shifrat në minutën e 45’+1’, ndërsa Aleksin mposhti portierin me një gjuajtje spektakolare në minutën e 45’+3’.

Në pjesën e dytë, Egnatia kontrolloi lojën dhe arriti të shënonte edhe golin e katërt në minutën e 88’ përmes një penalltie të ekzekutuar me stilin “Panenka” nga Aleksi.

Trajnerët e të dy skuadrave bënë disa ndryshime taktike dhe vendosën disa lojtarë të rëndësishëm në stol. Tek Egnatia, Dede la në stol Haime dhe Kryeziu, ndërsa Gvozdenoviç për Elbasanin mbajti në pankinë emra si Olberkis, Lulaj dhe Loukili.

Në këtë duel, verdheblutë nuk arritën të gjenin ritmin e duhur dhe pavarësisht disa mundësive të rrezikshme, mbrojtja dhe portieri i Egnatias bënë diferencën. Golat e shpejtë dhe kombinimet efektive të rrogozhinasve vendosën fitoren e thellë që i hap rrugë skuadrës për të synuar titullin e këtij sezoni.

Me këtë fitore, Egnatia konfirmon formën e saj të mirë dhe pozicionohet si pretendent kryesor për Final Four, ndërsa Elbasani duhet të rikuperojë para ndeshjeve të ardhshme për të mbajtur shpresat për titullin.