26 viktima nga Covid-19 në Kosovë, kreu i Shëndetësisë: 6 nga personat që humbën jetën ishin të vaksinuar

Sërish një numër i lartë viktimash u shënuan ditën e sotme në Kosovë, ku 26 qytetarë nuk ia dolën që të fitonin betejën me Covid-19.

Mirëpo ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë me dije se 6 nga pacientët që kanë humbur jetën kane qenë të vaksinuar kundër Covid-19.

“Nga 26 pacientë janë 6 pacientë të cilët kanë qenë të vaksinuar, mirëpo nuk është e specifikuar me një apo dy doza. Mirëpo të gjithë me sëmundje shoqëruese”, ka deklaruar ai.

“Janë saktë 1 mijë e 269 pacientë tani në klinikat tona të COVID-19 dhe në spitalet tona. Është lajm i mirë që sot pas një kohe nga filloj ky eksplozion i virusit, sot ka pasur më shumë lëshime se sa pranime të pacientëve me COVID dhe kjo na gëzon pa masë. Ka disa ditë, një ose dy javë që janë duke u përgatitur të gjitha skenarët që të organizojmë edhe spitale ose të karakterit fushor ose të një grumbullim të qytetarëve. Me lajmet që i morëm sot nga SHSKUK, janë lajme që na gëzojnë dhe janë shpresëdhënëse se nuk do të ketë nevojë për një situatë të tilla”, ka shtuar ai.