18-vjeçarja i dha fund jetës duke pirë fotoksinë/ Flet vjehrra e viktimës: Na kanë rënë në qafë

Një ngjarje e rëndë u shënua ditën e djeshme në Lushnjë, ku një vajzë 18-vjeçare i dha fund jetës, duke pirë fostoksinë.

Policia raportoi se shkak për aktin e rëndë që ka ndërmarrë Bruna.M , kanë qenë konfliktet vazhdueshme me të fejuarin e saj, 24-vjeçarin Entilio Drajçi. Ata i kishin bërë gjërat familjare në janar të këtij viti.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme familjarët e djalit, përkatësisht mamaja e tij, Sajmira Drajçi, e cila u shpreh se 18-vjeçarja nuk ka pasur asnjë konflikt me të riun.

Ndër të tjera ajo shtoi se policia ka sekuestruar telefonin, për të gjetur detajet ose arsyen që e kanë detyruar të renë t’i japë fund jetës.

Sipas saj nuk ka pasur asnjë shqetësim familjar, por gjithçka ka qenë nga ngarkesa në shkollë.

“Dilni flisni në të gjithë botën, nëse kjo familje ka pasur dhunë atëherë kanë punë. Nuk bën vaki që djali im ta shantazhonte. Është telefoni, e ka policia telefonin. Nuk e ka shantazhuar fare. Djali është pyetur nga policia dhe i ka thënë që nuk është e dhunuar vajza, nuk e kemi luajtur. Djali është tani tek njerëzit e nuses, është në rregull çdo gjë. Na kanë rënë në qafë. E kam mbajtur nusen”.

“Çfarë na bëri moj çfarë na bëri (qan). Unë nuk kam mirë çunin. Çuni më thotë do të bëj të njëjtën gjë që ka bërë ajo. Ne e mbanim në pëllëmbë të dorës, nuk i mungonte asnjë gjë. Shkoja në punë torturohesha, thoja asaj mos t’i mungojë asnjë gjë. I thoja mos bëj asnjë gjë o Bruna se dy dhoma janë, rri e qetë. E çonim në shkollë, vinte në shtëpi. Goca ka qenë e ngarkuar nga shkolla. Nuk kanë lënë rehat në shkollë”, tha ajo.

Paraprakisht ajo shtoi se 18-vjeçarja i ka thënë mamasë së saj se nuk ndjehej mirë.

“Ka ardhur këtu e ka bërë gjestin. Nuk dimë gjë. I ka thënë djali po iki të pijë një kafe në lokal, mirë i ka thënë. Më pas ka marrë çunin në telefon dhe i ka thënë që hajde se unë piva helmin. Më ka bërë hatanë. Vetë e ka marrë djalin në telefon. Çuni në sekond ka ardhur, me 200 e ka çuar makinë. Kjo ka ndodhur pasi ka ardhur nga shkolla. Ka shkuar tek nëna vet dhe i ka thënë nuk jam mirë. Na ka bërë hatanë. Pastaj ka marrë djalin. Unë kam qenë në punë nuk di gjë”, tha vjehrra e viktimës.