Prej më shumë se 12 ditësh, zjarrfikësit e Librazhdit vijojnë përballjen me vatrat e zjarrit në malin e Dardhës. Në terren të vështirë, mes vapës, tymit dhe lodhjes, efektivët po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në zona të tjera.
Puna e tyre është zhvilluar për orë të gjata, në kushte të vështira, ndërsa zjarri vijon të përbëjë një kërcënim për sipërfaqet pyjore dhe pronat përreth.
Përmes një mesazhi, zjarrfikësit kanë apeluar për kujdes dhe përgjegjshmëri nga qytetarët, duke theksuar se një zjarr i ndezur pakujdesisht apo qëllimisht mund të shkaktojë dëme të mëdha.
Autoritetet rikujtojnë se shkaktimi i zjarreve përbën vepër penale dhe ndëshkohet me ligj.
Ndërsa beteja me flakët vijon, puna e zjarrfikësve mbetet një nga përpjekjet kryesore për mbrojtjen e pyjeve, pronave dhe jetës së banorëve.




