Zyrtare/ Tirana merr vendimin për trajnerin Julian Ahmatajn

Ndryshim pankine te Tirana. Julian Ahmataj nuk është më trajneri i bardhebluve. Ecuria plot oshilacione, mungesa e një stili të qartë loje dhe humbja e fundit në derbin përballë Partizanit, kanë sjellë fundin e aventurës së tij.

Presidenca e Tiranës ka shkarkuar 44-vjeçarin, i cili qëndronte në pankinë prej 5 tetorit, kur zëvendësoi Orges Shehin. 19 ndeshje në total regjistroi Ahmataj në aventurën e dytë si trajneri i rekordmenëve të futbollit shqiptar.

Tirana renditet në vendin e katërt pas javës së 24-t në Superiore. Me 34 pikë, dy mbi Dinamon, me këta të fundit që numërojnë një takim më pak.

Tirana luan në transfertë të martën ndaj Teutës në kuadër të Kupës së Shqipërisë ndërsa në fundjavë, në shtëpi kundër Laçit në takimin e ardhshëm. Ndërkohë, tifozët presin me kuriozitet se cili do të jetë trajneri i tretë i skuadrës së tyre të zemrës gjatë këtij edicioni.