ZYRTARE / Ndahen përfundimisht vazot e shortit të play-off-it, ja ku gjendet Shqipëria dhe Kosova!

ZVICER – Ka përfunduar fushata kualifikuese e Botërorit 2026 në Europë, ku përveç ekipeve të kualifikuara, janë mësuar edhe skuadrat që do të luajnë në play off.

Shqipëria dhe Kosova do të jenë në vazon e tretë duke shmangur një përballje me njëra-tjetrën, së bashku me Irlandën dhe Bosnje & Hercegovinën. Në vazon e parë janë: Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina. Në vazon e dytë, aty ku janë dhe kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë e Kosovës janë: Polonia, Uellsi, Republikë Çeke dhe Sllovakia.

Në vazon e fundit janë ekipet e ardhura nga Nations League: Rumani, Suedi, Maqedoni e Veriut dhe Irlandë e Veriut.

Shqipëria do ta luajë ndeshjen e parë jashtë dhe finalja do të mësohet në bazë të shortit nëse kuqezinjtë, në rast se kalojnë, do të jenë pritës ose udhëtues. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.

Shorti do të hidhet më 20 nëntor në Nion të Zvicrës, ndërsa faza play-off do të luhet në mars të 2026-ës.