Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Institutit të Shëndetit Publik i bashkohet edhe këtë vit Javës Europiane për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, për të rikujtuar se parandalimi shpëton jetë.

Ky është një moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e qafës së mitrës dhe rëndësinë e veprimeve të hershme për shëndetin e grave.

Duke u mbështetur në përvojën e Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili zbatohet nga IShP, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur që në vitin 2026 të zgjerojë fashën e moshës për gratë që përfitojnë nga programi, duke përfshirë tani edhe grupmoshën 35-55 vjeç.

Ky zgjerim synon të nxisë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grave në programin e depistimit, të rrisë mundësitë për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundjeje, si dhe të ulë rrezikun afatgjatë të saj.

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, përmes vaksinimit kundër HPV-së dhe depistimit të rregullt.

Për më shumë informacion mbi Programin Kombëtar të Depistimit dhe vaksinimin kundër HPV-së, qytetarët mund të vizitojnë faqen e Institutit të Shëndetit Publik ose të komunikojnë me qendrën e tyre shëndetësore më të afërt.