Elbasan, 19 janar 2026
Ka nisur zyrtarisht procesi zgjedhor për rinovimin e organeve drejtuese të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, pas miratimit të kalendarit të zgjedhjeve nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, zgjedhjet do të zhvillohen më 26 janar 2026, në orën 15:00, ndërsa vendi i votimit pritet të përcaktohet nga organet drejtuese të dhomës vendore në ditët në vijim.
Procesi zgjedhor përfshin votimin për kryetarin e Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, sekretarin e dhomës, një anëtar të Komitetit Drejtues, si dhe për përfaqësuesit e Elbasanit në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë. Përfaqësimi në këtë këshill do të jetë me tre anëtarë, ku kryetari i dhomës është automatikisht pjesë e tij, ndërsa dy përfaqësues të tjerë do të zgjidhen përmes votës së avokatëve të rrethit.
Burime nga Dhoma Vendore e Avokatisë Elbasan konfirmojnë se deri në këtë fazë janë regjistruar katër kandidatura: Demir Çiftja, Ledian Muzhaqi, Erind Gjeta dhe Aldi Kaci, të cilët pritet të jenë pjesë e garës për drejtimin dhe përfaqësimin e dhomës.
Sipas rregullores, kandidatët duhet të dorëzojnë kërkesën për kandidim me shkrim jo më pak se 48 orë përpara datës së zgjedhjeve. Të drejtë vote dhe kandidimi kanë vetëm avokatët e pajisur me kartonin e avokatit për vitin 2025 dhe që nuk ndodhen në kushte papajtueshmërie ligjore me ushtrimin e profesionit, në përputhje me ligjin nr. 55/2018.
Listat zgjedhore do të hartohen nga administrata e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë dhe do t’u vihen në dispozicion kandidatëve dhe organeve drejtuese të Dhomës Vendore Elbasan. Avokatët që nuk gjejnë emrin në listë, por plotësojnë kriteret ligjore, do të kenë mundësi t’i drejtohen stafit të DHASH për verifikim.
Ky proces pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan dhe përfaqësimin e saj në strukturat qendrore të avokatisë shqiptare.


















