Zëri i rinjve në Cërrik: Nga një qytet i Heshtur në një qendër shprese

Screenshot

Prej dy vitesh në Cerrik funksionon një qendër multifunksionale që i shërben veçanërisht aktivizimit të të rinjve. Falë mbështetjes së donatorëve të ndryshëm kjo qendër shërben edhe si inkubator për projekte në shërbim të tyre dhe të komunitetit.
Megjithëse shërbimet janë të kufizuara, kjo qendër i jep jetë qytetit të Cërrikut, një qytet me probleme të theksuara të papunësisë dhe largimit të të rinjve.

“Unë jam Anxhela Lushi, jam aktiviste prej dy vitesh në qendrën multifunksionale të qytetit të Cerrikut.
Ndihem shumë e privilegjuar, sepse kam këtë mundësi të shpreh veten time më mirë, të njoh veten time më mirë
Kur kam ardhur në fillim këtu, njohjet e mia ishin vetëm grupi mi i afërt shoqëror, kurse tani ato janë më të gjera dhe njoh më shumë njerëz.
Kalojmë kohë më produktive bashkë, marrim nisma të reja”- shprehet një aktiviste.

“Mua më pëlqen domethënë aktivizmi, sepse dua të ndryshoj qytetin, sepse ky është qytet i vogël dhe ka shumë pak gjëra për të bërë.
Dhe dua që të shtoj sa më shumë gjëra si argëtuese që ti bëj të rinjtë më aktiv, edhe më që dhe që pas pas studimeve të kenë qejf të rrinë akoma në këtë qytet”- thotë një tjetër.

“Unë jam Kristi Tabaku, jam një nga të rinjtë e qendrës, jam tetëmbëdhjetë vjeç, jam maturant në Gjimnazin Tomor Sinani, mund të quhem mirë aktivist, kam dy vjet që merrem me pjesën e qendrës, që kur është e themeluar ajo”- u shpreh një aktivist.

Rexhino Kovaçi, një ish-aktivist i angazhuar në qendër qysh në fillimet e saj, thotë se eksperienca e tij e ka ndihmuar të zhvillojnë sa më shumë aktivitete dhe të startojnë projekte të reja për të rinjtë.

“Aktualisht ne kemi dy vite që po punojmë në Qendrën Multifunksionale të Cerrikut.
Kemi ngritur një grup shumë të mirë të rinjsh, përgjithësisht janë të rinj të gjimnazit, jemi të fokusuar tek gjimnazi dhe tani po mundohemi që ta shtrijmë fokusin më shumë.”

Cërriku si një qytet me shtrirje urbane dhe rurale dhe me probleme të mëdha sociale ka marrë vëmendjen për më shumë gjithëpërfshirje, sidomos të shtresave vulnerabël dhe të rinjve me probleme sociale.

Psikologja e qendrës thotë se kjo do të bëhet e mundur edhe me ndihmën e donatorëve në qendrën e re që është duke u ndërtuar.

“Projekti e ri që po merr jetë tashmë, ne e kemi për synim të përfshijmë të gjithë ata individë, të cilët ndiejnë nevojën për të frekuentuar ose për të për të marrë suport për qoftë psikologjik, social apo të gjithë atyre shtresave vulnerabël”- theksoi psikologia.

Qendra multifunksionale ka edhe nismëtarët dhe aktivistët e saj ndër vite.
Entela Avdullaj si drejtuese thotë se kjo qendër erdhi si domosdoshmëri për jetën e varfër në aktivitete të të rinjve
Ajo veçon disa aktivitete për të cilat është entuziaste për rezultatet konkrete.

“Aktivitetet më së shumti janë aktivitete që vijnë nga vetë të rinjtë, si nevojë e tyre e njëpasnjëshme, në bazë të problematikave që ata kanë gjithashtu doja të theksoja këtu bashkëpunimin që ne kemi pas me organizata të ndryshme, përveç bashkëpunimit që ne kemi me pushtetin lokal dhe specifikoj këtu aktivitetin ose projektin më të ri që neve po bëjmë në bashkëpunim me UNICEF-in
për të sjellë një zgjerim të rrjetit të shërbimeve që qendra ofron.
Neve kemi bërë të përvitshëm një program që quhet Program Rinor Lidership.
Është një program një javor që zhvillohet me grupe të rinjsh në qytetin e Cerrikut të cilët pajisen me aftësi të të drejtuarit, me aftësi të udhëheqjes dhe që kanë kontakte të vazhdueshme me me modele shumë të mira të komunitetit”.

Kjo qendër i jep gjallëri jetës së të rinjve, megjithatë nevojiten investime në zhvillimin e infrastrukturës në qytet.
Për t’u ofruar këtyre të rinjve mundësi, për të qëndruar dhe për ta parë të ardhmen në qytetin e vogël të Cërrikut.