Administrata Trump po pezullon të gjithë përpunimin e vizave për vizitorët nga 75 vende duke filluar nga 21 janari.
Kështu raporton Fox News, duke cituar një memo nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve. Mes këtyre vendeve bën pjesë dhe Shqipëria, po ashtu edhe Kosova.
Kategoritë e vizave të prekura janë bashkimi familjar, punësimi, birësimi, emigrantët specialë, emigrim diversiteti (lotaria). Vizat studentore dhe turistike mbeten të paprekura.
Në një mesazh zyrtar të shpërndarë pas publikimit të lajmit nga Fox News dhe të ripostuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ngrirja e përpunimit të vizave synon vendet nga të cilat, sipas autoriteteve amerikane, një përqindje e lartë e emigrantëve përfundojnë duke përfituar nga skemat e ndihmës sociale.
Sipas DASH, masa do të mbetet në fuqi derisa SHBA-të të sigurohen se emigrantët e rinj nuk do të përbëjnë barrë për taksapaguesit amerikanë, në kuadër të politikës “Amerika së Pari” të administratës Trump.
Pezullimi vjen në mes të një goditjeje të gjerë ndaj emigracionit të ndjekur nga presidenti republikan i SHBA-ve, Donald Trump, që kur mori detyrën janarin e kaluar.
Në nëntor, Trump kishte premtuar të “pezullonte përgjithmonë” migracionin nga të gjitha “Vendet e Botës së Tretë” pas një të shtëne pranë Shtëpisë së Bardhë nga një shtetas afgan që vrau një pjesëtar të Gardës Kombëtare.
Lista e plotë e vendeve përfshin: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin. Duket se nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia nuk bën pjesë në këtë listë.













