Yjet e futbollit që do të mungojnë Botëror

SHBA – Me përfundimin e fazës play-off të Botërorit 2026 janë përcaktuar 48 skuadrat që do të marrin pjesë në edicionin e këtij viti, por si në çdo rast, shumë yje të futbollit europian dhe Botëror, do ta shohin Kupën e Botës nga shtëpia.

Gazeta spanjole “MARCA” ka publikuar “formacionin” më të shtrenjtë të lojtarëve që nuk do të marrin pjesë në Botëror, vlera e të cilit është më shumë se 650 milionë euro.

Në portë nuk ka rivalë dhe është Gianluigi Donnarumma, i cili ende nuk ka luajtur asnjë Botëror në karrierën e tij. Në mbrojtje, të rreshtuar me katër futbollistë, janë Ratiu nga Rumania, Zabarni i Ukrainës dhe Alesandro Bastoni, së bashku me lojtarin sllovak Hancko.

Cilësia dhe vlerat e lojtarëve janë më të larta në dy repartet e tjera, ku në mesfushë do të mungojnë në Botëror lojtarë si Mbuemo, Hjulmand, Szoboszlai dhe Kvaratskhelia.

Yjet e sulmit që do ta shohin Botërorin nga larg janë Victor Osimhen dhe Benjamin Šeško, pa harruar polakun Robert Lewandowski.