GROENLANDË, 15 janar 2026 – Njësitë e para ushtarake evropiane kanë mbërritur sot në Grenlandë, vetëm disa orë pasi autoritetet e ishullit autonom zhvilluan bisedime me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës. Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia konfirmuan se po dërgojnë personel ushtarak në kuadër të një misioni zbulimi në kryeqytetin Nuuk.
Ministria gjermane e Mbrojtjes bëri të ditur se misioni, ku marrin pjesë shtete evropiane anëtare të NATO-s, ka për qëllim vlerësimin e masave të sigurisë në Arktik, në kushtet e rritjes së shqetësimeve lidhur me aktivitetet ruse dhe kineze në rajon. Sipas njoftimit zyrtar, 13 efektivë të Bundeswehr-it do të vendosen në Nuuk nga e enjtja deri të dielën, me ftesë të Danimarkës.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca do të dërgojë së shpejti forca shtesë tokësore, ajrore dhe detare për të marrë pjesë në ushtrime ushtarake në Grenlandë. Ai theksoi se një grup i parë ushtarësh francezë ndodhet tashmë në terren dhe pritet të përforcohet në ditët në vijim.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Grenlandës, Mute Egde, tha se prania e trupave të NATO-s në ishull do të rritet gradualisht duke nisur nga sot, me më shumë fluturime dhe anije ushtarake që do të përfshihen në stërvitje të përbashkëta.
Njoftimi për misionin përkoi me takimin e ministrave të Jashtëm të Danimarkës dhe Grenlandës me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio në Uashington. Pas takimit, ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen deklaroi se pushtimi amerikan i Grenlandës nuk është i nevojshëm, duke pranuar se mes palëve mbetet një mosmarrëveshje thelbësore lidhur me këtë çështje.













