Vendimi i PS për Ballukun/ Berisha: Tani i përket sovranit të thotë fjalën e tij

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama, si të përfshirë në të gjitha aferat në Shqipëri dhe skandalet korruptive, ku ka firmën në koncesione dhe prokurime. Nga konferenca për mediat, Berisha theksoi se Rama edhe Portin e Durrësit me vlerë 4 mld dollarë e shkatërroi dhe tani po sjell rusët për të ndërtuar për interesat e tij dhe kundër partnerëve strategjikë të vendit.

‘Tani, duhet të jemi të sinqertë. Nuk ka patur njeri më kritik në këtë platformë se unë, ndaj drejtësisë. Por në rast se ekzekutivi me kartonat e krimit vendos të mos pranojë vendimet e drejtësisë, i përket sovranit dhe jo drejtësisë, të thotë fjalën e vet. Sepse drejtësia e tëra është një trup, ta marrim 300-400-500 sa janë 1000, dhe të gjitha hallkat e tjera janë në duart e ekzekutivit. Në këtë kontekst, është sovrani ai që duhet të ndërhyjë me të gjitha mjetet kushtetuese demokratike për të bërë të mundur ushtrimin e pushtetit nga pushteti gjyqësor në Shqipëri. Ndaj dhe, a do vazhdojë drejtësia të lëshojë urdhëra të tjerë për arrestin e Edi Ramës apo jo, unë nuk mund ta parashikoj këtë. Një gjë është e sigurtë që, zgjidhja është vetëm në duart e qytetarëve. Kemi të bëjmë me fatin e çdo shqiptari, kemi të bëjmë më endërrën europiane të integrimit në BE të të gjithë shqiptarëve. Ndaj dhe, cili do të jetë reagimi i drejtësisë në këtë rast, unë nuk mund të parashikoj, por detyra e opozitës, detyra e qytetarëve është të qëndrojë me të gjithë forcën në anën e kushtetutës dhe shtetit ligjor,’ tha Berisha.