Pothuajse 2 vjet pasi COVID-19 u shfaq në Wuhan, Kinë, gjithnjë e më shumë prova po tregojnë se me ndihmën e vaksinave, sistemi imunitar i disa individëve është forcuar.
Disa studime kanë zbuluar se njerëzit që shërohen nga infeksioni dhe më vonë marrin dozën e parë të një vaksine mARN, zhvillojnë imunitet të fortë kundër një game të gjerë variantesh SARS-COV-2, virusit që shkakton COVID-19. Për më tepër, këta individë duket se kanë mbrojtje të mirë edhe kundër koronaviruseve të ngjashme që mund të përhapen në të ardhmen. Shkencëtarët kanë përdorur termin imunitet “hibrid” për t’iu referuar efektit përforcues imunitar të ekspozimit ndaj infeksionit, pas marrjes së vaksinës.
Tek njerëzit që nuk janë infektuar asnjëherë me COVID-19, një dozë përforcuese e një vaksine COVID-19, mund të sigurojë gjithashtu imunitet hibrid kundër varianteve SARS-CoV-2 dhe viruseve të ngjashme. Virologu Paul Bieniasz, ka kryer disa studime të imunitetit hibrid me kolegët e tij në Universitetin Rockefeller në Nju Jork. Ai vërejti se imuniteti hibrid zhvillohej tek njerëzit që ishin infektuar me COVID-19 në fillim të pandemisë dhe më pas vaksinoheshin 6-12 muaj më vonë.
“Megjithëse infeksioni SARS-CoV-2 është afatshkurtër, ka të ngjarë që disa proteina virale dhe ndoshta edhe disa qeliza të infektuara, të vazhdojnë të mbeten në organizëm për disa muaj më vonë,” thotë ai. “Këta individë do të ishin mjaft të mbrojtur nga shumica, dhe ndoshta nga të gjitha variantet SARS-COV-2 që ka të ngjarë të përhapen në të ardhmen e parashikueshme.” Njerëzit që nuk kanë pasur kurrë COVID-19 gjithashtu përfitojnë nga ky efekt pas vaksinimit, edhe pse në një masë më të vogël.
Një studim tjetër që monitoroi imunitetin e individëve të tillë 6 muaj pas dozës së dytë të një vaksine mARN, zbuloi se nivelet e antitrupave të tyre u zbehën. Sidoqoftë, qelizat trupore i njohën variantet Alpha, Beta dhe Delta, dhe këto qeliza u rritën 3-6 muaj pas vaksinimit.
“I njëjti antitrup mund të zbulojë, dhe me sa duket, të neutralizojë, variantin Alpha, variantin Beta dhe, ndoshta edhe variantin Delta”, thotë prof. E. John Wherry, Ph.D., nga Universiteti i Pensilvanisë, në Filadelfia. Sidoqoftë, njerëzit që shërohen nga COVID-19 dhe më vonë marrin dozën e parë të vaksinës, kanë imunitet më të fortë se të tjerët. Kjo për shkak se sistemi i tyre imunitar i njeh të 25 proteinat që përbëjnë një virus SARS-COV-2. Në të kundërt, një vaksinë mARN kodon vetëm një proteinë të vetme, proteinën gjembore.
Prandaj, pas vaksinimit, sistemet imunitare që nuk e kanë hasur kurrë virusin, mësojnë të njohin vetëm këtë proteinë dhe variantet e saj. Prof. Wherry beson se në raste të tilla, një dozë përforcuese e një vaksine do të nxiste evolucionin e mëtejshëm të këtyre antitrupave për të siguruar mbrojtje më të fortë kundër varianteve. “Bazuar në të gjitha këto gjetje, duket se sistemi imunitar përfundimisht do të ketë përparësi ndaj këtij virusi,” thotë Prof. Bieniasz.
“Dhe nëse jemi me fat, SARS-CoV-2 në të ardhmen do të konsiderohet një virus i thjeshtë”./ Medical News Today