Socialistja Elisa Spiropali ka uruar besimtarët ortodoksë për Pashkë, në një postim në Facebook, por me një mesazh të koduar.
Krahas urimit për besimtarët, ajo ka theksuar nevojën për më pak urrejtje, mllef dhe përçarje në shoqëri.
“Krishti u ngjall! Nga e premtja e zezë e sakrificës, në të dielën e madhe të Pashkës, me ngjalljen e Tij, zgjohet shpresa e të vuajturve, të shtypurve, të vetmuarve, të sëmurëve, të izoluarve, ngushëllimi i të gjithëve që vjen nga besimi se s’ka natë që s’ka të gdhirë, sado qoftë e gjatë.
Për çdo vuajtje ka një lehtësim, për çdo padrejtësi ka një shpërblim, për çdo ego të sëmurë ka një çmim.
Në këtë Vigjilje të Pashkës Ortodokse, për njerëzit e vendit tonë të jashtëzakonshëm, uroj sa më pak mllef, mosmarrëveshje, hidhërim, makutëri, urrejtje, dhe sa më shumë mirëkuptim, liri, mbrothësi, punë dhe begati.
Ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe ta trajtojmë me më shumë përkujdesje tokën tonë të përbashkët.
Gëzuar, Pashkë të bekuara!”, thuhet në postimin e saj.













