Një investigim në ujësjellës-kanalizime që la pas gropa, pluhur dhe shumë pikëpyetje për qytetarët e Elbasanit.
Premtimi zyrtar
Në dhjetor 2023, kur në Elbasan u vendosën gurët e parë të punimeve për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve, atmosfera ishte festive. Në krah të ministres Belinda Balluku dhe zyrtarëve të KfË e SECO, drejtori i AKUK, Klevis Jahaj, u zotua se 49 mijë qytetarë të Elbasanit do të furnizoheshin me ujë 24 orë në ditë. Investimi prej dhjetëra milionë eurosh u paraqit si një hap historik drejt modernizimit të shërbimeve bazë.
Por sot, pothuajse dy vite më vonë, Elbasani duket më shumë si një kantier i përjetshëm ndërtimi se sa një qytet që po i afrohet standardeve europiane.
Realiteti në terren: rrugë të hapura e të pambaruar
Shëtitja në lagjet “5 Maji”, “Kala”, apo në rrugët 28 Nëntori dhe Rinia tregon një panoramë krejt ndryshe nga ajo e premtuar. Rrugë të hapura dhe të mbuluara vetëm pjesërisht me zhavorr. Gropa që shfaqen pas çdo shiu dhe që dëmtojnë automjetet e banorëve.
“Është bërë tmerr. Nuk kalojmë dot. Pa le kur të bjerë shi thotë Manjola, një nënë e dy fëmijëve në lagjen “Kala”.
Një shofer taksie, Iliri, ankohet se makina i prishet vazhdimisht dhe se e @on shumë shpesh në servis. “Tre herë këtë vit kam ndërruar amortizatorët. Gropat e rrugëve të hapura po na falimentojnë.”
Uji 24 orë, ende një ëndërr
Në raportet zyrtare, programi ËPIP/MIP V në Elbasan thuhet se ka përparuar me 88% të rrjetit të ndërtuar dhe 66% të lidhjeve familjare. Por kur pyet banorët, përgjigjja është tjetër.
“Uji nuk vjen 24 orë. Ka lagje ku vjen me orar. Nuk dimë asgjë për premtimin që na dhanë,” – thotë Arbeni, banor i zonës së “5 Majit”.
Ky kontrast midis deklaratave të zyrtarëve dhe përvojës së përditshme të qytetarëve ka krijuar mosbesim të madh se një pjesë e madhe e qytetit do të ketë ujë 24 orë. Edhe pse një pjesë e qytetit ka filluar të shikojë përmirësim, pjesa tjetër po vuan mungesën e ujit dhe rrugët e dëmtuara.
Transparenca që mungon
Në një interpelancë të kërkuar nga opozita në këshillin Bashkiak u deklarua nga përgjegjës të ujësjellësit se uji do të jetë minimalisht i pijshëm por nuk u dha asnjë detaj mbi furnizimin 24 orë. Ndërkohë justifikimi për hapjen e kanaleve në rrugë ishte se kërkonte një process të gjatë tenderimi nga pas dhe se nuk ka një hartë të saktë të rrjetit të ujësjellësit në qytet.
Krahasimi me qytetet e tjera
Modeli hidraulik i përdorur në Elbasan është i ngjashëm me atë të aplikuar në Korçë, Pogradec dhe Lezhë. Në Korçë, projekti i ujësjellësit u përfundua me sukses dhe qytetarët furnizohen sot 24 orë në ditë me ujë cilësor. Në Pogradec, megjithëse pati vështirësi gjatë punimeve, rikonstruksioni i rrugëve u bë relativisht shpejt. Në Lezhë, qytetarët përfituan furnizim të qëndrueshëm pas implementimit, por procesi u shoqërua gjithashtu me ankesa të ngjashme për dëmtimin e rrugëve.
Elbasani duket se është rasti ku problemet janë më të theksuara dhe rikuperimi i infrastrukturës mbetet ende i pasigurt.
