U ngjit në podium dhe shkroi historinë për Shqipërinë, Lara Colturi votohet si më e mira e javës

Italo-shqiptarja Lara Colturi është vetëm 18 vjeç, por dërgoi për herë të parë Shqipërinë në podiumin e Kupës së Botës për Ski, duke u renditur e dyta në garën e fundjavës së shkuar në Austri. Veç këtij suksesi, Lara është votuar si më e preferuara e javës nga tifozët.

Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë u rendit e dyta në garën e Sllalomit vetëm 55 të qindtat pas kampiones amerikane Mikaela Shiffrin, e cila mban numrin rekord të 99 garave të fituara në Kupën e Botës. Tifozët votuan 18-vjeçaren Colturi si më të preferuarën, duke i dhënë 69 % të pëlqimeve për atë që tregoi të shtunën në pistë.

Lara ngriti flamurin kuqezi në podium dhe në klasifikimin e përgjithshëm të Botërorit merr vendin e shtatë me 95 pikë pas tre garave të para në këtë sezon. Botërori i Skive vijon me garën e radhës këtë fundjavë në Killington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.